“Lezha ka përkujtuar 581 vjetorin e Beslidhjes së Princave Shqiptarë për të luftuar kundër regjimit otoman. Kjo datë historike bëri bashkë autoritetet nga të gjitha trevat shqiptare mes të cilëve edhe arbëreshët e Italisë”, raporton gazetari i Klan News Martin Marku.

Veprimtaritë nisën me vendosjen e kurorave me lule dhe homazheve pranë vendvarrimit të Gjergj Kastriotit.

Në kuadër të kësaj datë historike u përurua edhe shtatorja e Heroi tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.

Në aktivitet morën pjesë personalitete të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Arbëreshë dhe trevat shqipfolëse, ku 2 marsi mbetet një testament i Unitetit Kombëtar.

“Lezha, Shqipëria, Kosova dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, janë në festë. 581 vite më parë, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në këtë qytet sa të lashtë, por edhe të bukur mblodhi të gjithë princat shqiptarë në atë që quhet Kuvendi i Lezhës, e cila ishte një aleancë politiko-ushtarake me një synim, mbrojtjen e atdheut”, tha Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

“Kjo ditë vërtetë është një moment historik sepse tregon një testament të Unitetit tonë Kombëtar dhe një kujtesë të vlerave që na kanë mbajtur bashkë që nga themelimi i këtj bashkimi epokash. 581 vite më parë kjo besëlidhje ishte bashkimi i parë politiko-ushtarak i shqiptarëve”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

“Kjo është simbolikë që Shqipëria e ka mendjen te ne dhe kështu duhet vazhduar. Sot në një botë që po ndryshon është shumë e rëndësishme që të përcjellim betimin e prijësve shqiptarë dhe ne duhet të jemi së bashku”, tha Genc Ninambergu, Kryetari i Komunës Ulqin.

Kuvendi i Lezhës nuk ishte thjesht një marrëveshje, por një betim për liri, një vendim historik për të qendruar bashkë kundër çdo pushtuesi. Ne shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojmë të jetojmë në një regjim ku na mohoen të drejtat elementare, për sa kohë Serbia do të vazhdojë të na trajtojë si të padukshëm. Shqipëria dhe Kosova janë zëri ynë, mburoja jonë, fuqia jonë”, tha Ardita Sinani, Kryetare e Bashkisë Preshevë.

Aktiviteti vijoi me këngë e valle patriotike, si dhe në sheshin “Gjergj Kastrioti” u çel edhe panairi i artizanatit.

“Panairi është shumë i rëndësishëm se na jep mundësinë të tregojmë punën që bëjmë, njihemi me njerëz, njihemi me punimet e të tjerëve, shohim cilësinë e produkteve tona, kanë shumë rëndësi, kanë rëndësi të veçantë”, tha një artizane e pranishme në panair.

Edhe këtë vit 2 marsi “Besëlidhja e Lezhës” mbetet festë jo zyrtare.

Klan News