Mikheil Kavelashvili, një kritik i Perëndimit u betua si president i Gjeorgjisë këtë të dielë. Ish-presidentja Salome Zourabichvili, një kundërshtare e partisë në pushtet, tha në një fjalim para mbështetësve jashtë pallatit presidencial se ajo po largohej nga rezidenca ndërsa kreu i ri i shtetit nuk është legjitim.
“Gjashtë vite më parë u betova se do t’i qëndroja besnike Kushtetutës dhe kjo gjë nuk do të ndryshojë, kudo që të jem, në pallat apo jashtë pallatit, do të dal nga këtu, por do të jem me ju”, u shpreh ajo para mbështësve.
Zourabichvili thotë se presidenti i ri nuk u zgjodh nga një proces i ndershëm zgjedhor.
Përplasja mes saj dhe kreut të ri të shtetit vjen pas një krize të rëndë politike e cila u shkaktua pasi partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” vendosi të pezullonte bisedimet për anëtarsim në BE.
Për pasojë mijëra qytetarë mbushën rrugët e Gjeorgjisë për të protestuar kundër këtij vendimi.
Klan News