Ditën e parë të punës për 2025-ës, kreu i shtetit e nisi me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misione dhe operacione jashtë vendit.
Përmes një video-konference online Presidenti Bajram Begaj përcolli urimet për Vitin e Ri dhe vlerësoi kontributin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.
“Ju jeni ambasadorët më të mirë dhe falë shërbimit tuaj, flamuri kombëtar që ne pamë të valëvitet, valëvitet kudo me krenari përkrah flamujve të tjerë të NATO-s. Shqipëria është një vend i vogël, por me kontribute të mëdha për paqen dhe sigurinë. Vetë prezenca dhe shërbimi juaj, nga Kosova, në Bosnjë, nga Bullgaria, Letonia, Deti Egje, Irak, Sinai dhe deri në Sudanin e Jugut, është dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të vendit tonë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por në mbarë botën”.
Duke e vënë theksin tek agresioni rus, Presidenti Begaj e cilësoi të një rëndësie të veçantë mbështetjen financiare për ushtarakët.
“E në kohën kur agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar tërësisht mjedisin e sigurisë është detyrim detyrim mbështetja për të gjithë ushtarakët dhe familjarët e tyre”.
Forcat e Armatosura janë aktualisht të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake me 358 ushtarakë në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Sudani i Jugut, Letoni, Bullgari, Irak, detin Egje etj.
Tv Klan