200 mijë lekë të vjetra borxh, u bënë shkak për krimin makabër të ndodhur të Hënën në Durrës. Në dëshminë e tij, autori 39 vjeçar ka deklaruar se është përleshur me viktimën, pas debatit për lekët borxh që ai i kishte.
“Më kishte 200 mijë lekë borxh, e pashë dje që po dilte nga shtëpia nga kati i 5-të ku unë banoj, te sheshpushimi i shkallëve. I thashë hajde flasim për atë borxhin që më kishte se më duheshin lekët për Vitin e Ri. U futëm të shtëpia e tij. Debatuam aty dhe më tha nuk kam lekë”, ka thënë para hetuesve Fation Janina.
Më tej, ka pranuar se e ka qëlluar disa herë me thikë e çekiç pasi sipas tij 82 vjeçari Paulin Gina e ka ofenduar.
“Më ofendoi, më tha drogaxhi. Aty e humba qetësinë, u përleshëm afro1 orë. Ai donte të më godiste me çekiç, unë gjeta një thikë e qëllova disa herë. Pastaj e qëllova edhe disa herë me çekiç derisa ngeli i shtrirë në tokë. Më pas mora thikat dhe çekiçin dhe i dërgova në shtëpinë time. Kur dola mbylla edhe derën e jashtme të tij me çelës. Shkova në shtëpi fsheha thikat dhe çekiçin, ndërrova edhe rrobat e gjakosura dhe me pas ika edhe nga shtëpia për t’i shpëtuar policisë”, ka deklaruar ai në Polici.
Ngjarja e rëndë u raportua ditën e djeshme rreth orës 18:50.
/tvklan.al