Presidenti Joe Biden mbërriti në Gjermani këtë të premte ku u mirëprit nga homologu i tij gjerman Frank-Walter Steinmeier me nderime të larta ushtarake. 81-vjeçarit iu dha dekorata më e lartë e Gjermanisë, Kryqi i Madh i Urdhrit të Meritës në një ceremoni në Berlin.
Pas presidentit gjerman, Biden u prit nga kancelari Olaf Scholz. Lufta në Ukrainë, por edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dominuan konferencën e tyre të përbashkët për shtyp.
“Vrasja e liderit të Hamasit përfaqëson, një moment drejtësie. Ai kishte në duart e tij gjakun e amerikanëve, izraelitëve, palestinezëve në Gjermani dhe shumë të tjerëve. I thashë kryeministrit të Izraelit dje: Le ta bëjmë edhe këtë moment një mundësi për të kërkuar një rrugë drejt paqes, një të ardhme më të mirë në Gaza pa Hamasin, mezi pres të diskutoj për Iranin”.
Edhe kancelari Olaf Scholz ishte në të njëjtën linjë në lidhje me mundësinë e një armëpushimi pas vdekjes së liderit të Hamasit. “Me vdekjen e liderit të Hamasit Sinwar, i cili ishte përgjegjës për sulmin e tmerrshëm terrorist, shpresojmë tek mundësia konkrete për një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve të Hamasit tani është e mundur.”
Presidenti Biden shfrytëzoi vizitën në Gjermani për të diskutuar çështjet e Ukrainës. “Amerika dhe Gjermania janë dy mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës në luftën e saj për mbijetesë si një komb i lirë dhe i pavarur. Ndërsa Ukraina po përballet me një dimër të vështirë, ne duhet të jemi të vendosur në mbështetjen tonë.”
Presidenti do të drejtojë virtualisht një takim për sigurinë në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden nuk do të takohet personalisht me udhëheqësin ukrainas, siç ishte planifikuar fillimisht.
Klan News