Presidenti amerikan Joe Biden në një fjalim para gazetarve u shpreh se nuk është i sigurt nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po vonon të arrijë një marrëveshje armëpushimi në Gaza, për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane.
“Asnjë administratë nuk e ka ndihmuar Izraelin më shumë se unë. Asnjë, asnjë. Dhe mendoj se Benjamin Netanyahu duhet ta mbajë mend këtë. Dhe nëse ai po përpiqet të ndikojë në zgjedhje, nuk e di. Por nuk po llogaris në këtë.”
Presidenti Biden ka kërkuar prej kohësh arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi. Por marrëveshja në fjalë nuk është finalizuar ndonjëherë, dhe në disa raste Netanyahu ka shprehur publikisht rezistencën ndaj kësaj mundësie, ndërsa zyrtarët amerikanë dhe izraelitë vazhdojnë bisedime për arritjen e një armëpushimi.
“Ajo që di është se plani që kam bërë së bashku ka marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për t’i dhënë fund luftës. Izraelitët kanë çdo të drejtë t’i përgjigjen sulmeve jo vetëm nga iranianët, por edhe nga Hezbollahu, Houthi, por ata duhet të jenë shumë më të kujdesshëm ndaj civilëve.”
Ndërkaq kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ende nuk ishte marrë një vendim lidhur me reagimin izraelit ndaj sulmit raketor iranian, pavarësisht zërave për një sulm izraelit ndaj rezervave të naftës në Iran.
“Kjo është në shqyrtim tani, e gjithë puna. Unë nuk do ta diskutoj këtë. Kur të marrin vendimin se si do të përgjigjen, atëherë ne do të bisedojmë.”
Sondazhet tregojnë se konflikti në Lindjen e Mesme dhe dështimi për të siguruar një marrëveshje diplomatike po dëmton Biden dhe zëvendës presidenten amerikane Kamala Harris.
Klan News