Menjëherë pas seancës zyrtare të Samitit të NATO-s që u mbajt në Uashington, Presidenti amerikan, Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill mirëpritën liderët dhe partnerët e NATO-s në një darkë në Shtëpinë e Bardhë.
I pranishëm në këtë darkë ishte edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Në përshëndetjen e tij presidenti Biden uroi 75-vjetorin e krijimit të aleancës më të madhe ushtarako-politike në botë, ndërsa theksoi rëndësinë që ajo ka për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë.
Veç faktin se në këtë samit u festua 75-vjetori i krijimit të Aleancës, në komunikatën e lëshuar nga krerët e shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në takimin e NATO-s në kryeqytetin amerikan, aleatët bënë të ditur synimin për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake me një vlerë prej 40 miliardë Euro brenda vitit të ardhshëm.
Në dokument u mbaj qëndrim dhe ndaj Kinës që u cilësua si “mundësuese e përpjekjeve” luftarake të Rusisë ndaj Ukrainës. Për vendet aleate të NATO-s Pekini vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euro-atlantike.
Ndaj i bëhet thirrje Kinës që të ndërpresë mbështetjen materiale dhe politike për përpjekjet luftarake të Rusisë.
Komunikata trajton dhe faktin shqetësues të zgjerimit të shpejtë të arsenalit bërthamor kinez ndaj i kërkohet Kinës të angazhohej për të zhvilluar bisedimet strategjike për uljen e rrezikut.
Tv Klan