Gjetan Keta është boksieri shqiptar për peshat e mesme. Ai është me origjinë nga Bulqiza dhe për vite me radhë jeton bashkë me familjen në Gjermani, ku dhe ka pasur një karrierë të gjerë. E kemi parë shpesh në ring teksa triumfon para kundërshtarëve. Por shumë pak prej nesh dinë fillimet e boksierit të njohur.
I ftuar mëngjesin e kësaj të marte në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” ai ndan me publikun pak nga historia e fillimeve të tij. Filmi “Rocky Balboa” për Gjetan Ketën ishte fillimi i gjithçkaje. Ëndrra për të “luftuar” në ring për të ishte aq e madhe saqë nuk njihte kufij dhe moshë.
Ai tregon se në fillim nisi që të stërvitej në vendin e tij të lindjes, në Bulqizë, me mjete rrethanore, ku bidonët filloi t’i kthente në shtanga. Më pas rruga e emigrimit ishte një mundësi më tepër për të vazhduar ëndrrën e tij në boks. Greqia ishte vendi i fillimit të karrierës së tij. Gjetan Keta thotë se përveç punës në ndërtim ai shkonte rregullisht dhe në stërvitje.
Gjetan Keta: Në vitet ’90 doli filmi “Rocky Balboa” dhe më hyri në zemër aq shumë saqë çdo ditë mendoja për atë. Çdo ditë mendoja që të hyrë një herë në ring dhe nuk dua tjetër gjë të arrijë në jetë.
Aldo: Sa vjeç ke qenë?
Gjetan Keta: Unë kam qenë 10 vjeç. Kemi filluar stërvitjen atje në Bulqizë.
Aldo: Po si e ke filluar stërvitjen atje në Bulqizë, sepse aty nuk kishte akademi?
Gjetan Keta: Jo, jo! Në Bulqizë nuk lejohej, as nuk i njihnim fare. Ne filluam që t’i bënim këto shishet e coca cola-s t’i mbushnim me rërë dhe me ujë, si shtanga. Pastaj deri në moshën 16 vjeç unë merresha në Bulqizë me këto se çfarë shikoja.
Aldo: Pa trajner?
Gjetan Keta: Po pa trajner. Dhe pastaj u nisa për në Greqi, kam ikur në këmbë edhe 6 herë e kam bërë atë rrugë. 3 vitet e para m’u desh që të punoja që të pajisesha me dokumente. Mbas 3 viteve që kam ikur në Kretë aty kam njohur një trajner. Nga Kreta ka nisur sporti i boksit dhe kikboksit për mua. Bëra goxha emër në Kretë dhe vëllai im Ismaili, ishte dhe trajneri im.
Aldo: Ti në Greqi mësove që ky sport paska disa rregulla.
Gjetan Keta: Në Greqi mua m’u dha rasti që të merresha me këtë sport. Ndërkohë punoja dhe mur guri, shkoja dhe në stërvitje./tvklan.al