Së shpejti Kosova do të jetë vend anëtar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Marrëveshja e aplikimit për anëtarësim u firmos nga vetë kryeministri Hashim Thaçi.
Hashim Thaçi: “Mendoj se në kuadër të këtyre takimeve që jemi duke zhvilluar në Bruksel aplikimi i qeverisë së Kosovës, i Kosovës për anëtarësim në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe kërkesës sot që kemi marrë për aplikim në EBRD shënon një hap të rëndësishëm për institucionet e Kosovës për anëtarësim të Kosovës në institucionet e rëndësishme botërore, prandaj unë dua të besoj dhe kam të konfirmuar dhe prej autoriteteve përkatëse se përgjigja do të jetë e shpejtë, do të jetë pozitive dhe Kosova do të jetë pjesë e institucioneve të rëndësishme botërore definitivisht.”
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve u realizua gjatë mbrëmjes gala që qeveria e Kosovës organizoi me rastin e mbajtjes së konferencës së donatorëve.
Fatmir Limaj: “Pata rastin që të takohem me përfaqësuesin e FMN-së dhe ai tekstualisht më tha që po ndihet shumë i kënaqur që po pret në rrugë nga Prishtina me shku dy orë për faktin që po sheh se po punohet dhe në këtë duhet ta shohin komiteti ndërkombëtar sepse ata janë në Kosovë dhe ata duhet ta shohin punën tonë të përditshme”.
Anëtarësimi në dy organizatat ndërkombëtare financiare pritet të realizohet brenda gjashtë muajve të ardhshëm./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj