Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Biznesi i kërkon qeverisë ulje të disa taksave kryesore. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i Dhomës së Tregtisë Luan Bregasi, deklaroi se biznesi pret nga qeveria sidomos ulje të tatimit mbi fitimin. Ndërkohë që propozimi për tvsh, është ulja e nivelit deri në 15%.

Luan Bregasi: “Tatim fitimin, ne kemi sjellë argumente që në qoftë se ulet nga 25% në 20%, do të rrisim mundësinë e biznesmenëve për të deklaruar të ardhurat që krijojnë. Ka ardhur një moment që biznesi duhet të deklarojë të ardhurat e veta, sepse ka mbaruar ajo periudhë kur dikush paguante dikush s’paguante”.

Biznesi kërkon shtyrje për dy ose ter vjet të tjera të aplikimit të tvsh, mbi shitjen e banesave.

“Ne mendojmë siç mendonte dhe FMN para dy muajsh, që duhet një periudhë përgatitore prej dy-tre vjetësh, në radhë të parë për t’u përgatitur administrata tatimore për vendosjen. Njëkohësisht paralel me këtë duhet të përgatitet edhe biznesi”.

Taksat që biznesi kërkon që të pësojnë rënie, janë tvsh-ja, tatimi mbi fitimin, ulje e tarifave të sigurimeve shoqërore, heqja e akcizës për ujin dhe lëngjet, etj. Biznesi argumenton se buxheti, pavarësisht liberalizimit të tregjeve ka të ardhura në rritje të doganave, prandaj dhe reduktimi i taksave do të ishte i mundshëm./tvklan.al