Biznesmeni Elman Abule ka qëndruar për 4 orë përballë agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit për të dhënë shpjegime në lidhje me hetimin për pasuritë e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Abule nuk dha asnjë shpjegim për mediat.

Emri i Elman Abules përmendet në vendimin e gjykatës që mban datën 5 Dhjetor të 2024 për lejimin e kontrollit personal të tij dhe po ashtu të shoqërisë Rametal Sh.p.k ku ai është administrator. Të mërkurën për 5 orë u pyet nga SPAK edhe Marisa Nito, bashkëshortja e biznesmenit, e cila dhe ajo nuk bëri asnjë koment për mediat.


SPAK e ka regjistruar procedimin penal për 4 akuza dhe ka nisur të marrë deklarimet e personave që kanë dijeni në lidhje me këtë çështje. Dyshimet e Prokurorisë kanë të bëjnë me faktin se familjarë të Veliajt kanë marrë përfitime të parregullta nga shoqëri apo individë që kanë pasur interesa të drejtpërdrejta me bashkinë e Tiranës. Po ashtu SPAK ka dyshime edhe për lëshimin e faturave fiktive dhe tentativa për “injektim” në sistemin bankar të parave, origjina e të cilave është e dyshimtë.

Klan News