Tani shfaqet e qetë dhe e buzëqeshur. Parashqevi Simaku është mirë dhe tani në duar të sigurta. Biznesmeni Elton Ilirjani është kujdesur për t’i gjetur një strehë dinjitoze legjendës së muzikës shqiptare dhe lajmëron se Parashqevia do t’i kthehet sërish publikut.
“Kjo do të jetë dhoma e divës sonë, Parashqevi Simaku”, shprehet Ilirjani.
Ishte një shfaqje e rastësishme në një kronikë të televizionit të Nju Jorkut ABC 7 teksa pranonte ndihma për të pastrehët që e risolli në vëmendje këngëtaren e njohur, kësaj here në epokën dixhitale. Kaq u desh që në rrjet të fillonte furtuna e interesit për fatin e këngëtares.
Më herët ishte një tjetër video në rrjetet sociale, ku Parashqevia shfaqet e qetë e komunikon me vështirësi shqip.
Dy mikeshat e këshillojnë Parashqevi Simakun që të mos dorëzohet me shpresën se diçka do të ndryshojë në jetën e saj. Familjarët kanë sqaruar se gjendja e këngëtares u keqësua pas divorcit dhe humbjes së kujdestarisë së djalit.
Ishte gazetari Blendi Fevziu që identifikoi këngëtaren kur u shfaq në kronikën e televizionit amerikan ABC 7.
Të shumtë kanë qenë shqiptarët që u zotuan për të ndihmuar ikonën e muzikës shqiptare, asaj që i dha aq shumë dashuri dhe gëzim këtij vendi nëpërmjet muzikës.
Këngëtarja u largua nga Shqipëria menjëherë pas rrëzimit të komunizmit me ëndrrën e madhe për të kapur Hollywoodin.
Klan News