“Ishte në gjendje shumë të varfër, por me dinjitet të fortë dhe gëzonte shëndet të plotë”, kështu shkruan për Parashqevi Simakun, emigrantja shqiptare në SHBA, Elvira Tata e cila ka publikuar së fundmi një video të ikonës së muzikës shqiptare në Amerikë.
Në pamjet e bëra publike, Parashqevi Simaku shfaqet duke komunikuar me shqiptaren, të cilës i thotë se e ka të vështirë të flasë shqip, megjithatë në bisedën mes tyre nuk mungojnë fjalët në gjuhën amtare.
“Për të gjithë miqtë e mi, jua shuajta pak atë kureshtjen për Parashqevinë. Ajo ishte në gjendje vërtetë të varfër, por me një dinjitet të fortë dhe gëzonte shëndet të plotë. Kjo video e shkurtër pasi bëra shumë video së bashku do t’ju tregojë që është një grua vitale e mençur dhe me shumë dritë”, shkruan Elvira Tata në “Instagram”.
Në videon e publikuar, Parashqevi Simaku mes buzëqeshjes së pashuar në fytyrë tregon nga vjen: Ne shqiptarët jemi ajo që ka mbetur nga Roma, Greqia, Perandoria Austriake… Disa prej nesh kanë ardhur që nga koha e Skënderbeut atje. E keni ruajtur atë traditën austro-hungareze. Ata qeshin, duken rrezatues, nuk e njohin vuajtjen dhe të keqen.
Kur pyetet për adresën apo numrin e celularit, Parashqevi Simanku shprehet se mund ta kontaktojnë në Facebook: Më shkruaj në Facebook. Më gjen aty. Do të shohësh fotot e mia, familjen time, gjithçka është aty.
Videoja më e re ku shfaqet Parashqevi Simaku ka ardhur pas asaj që mori vëmendjen e mijëra shqiptarëve, pamjet e transmetuara në kanalin ABC7 në New York.
Në video shfaqet një zonjë me emrin ‘Simaku Nofe’, e cila përfiton nga ndihmat vullnetare si e pastrehë. Pas publikimit të kësaj video nga gazetari Blendi Fevziu, shumë shqiptarë thanë se ajo është këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, e cila jeton prej vitesh në New York.
Në një reagim tjetër në rrjetet sociale, Fevziu u shpreh se zonja në video është Parashqevi Simaku. Ai u shpreh se sipas informacioneve, Simaku është e pastrehë dhe pa asnjë ndihmë financiare.
Artistja shumë e dashur për të gjithë iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1992. Atje u martua dhe lindi një djalë, por pas disa vitesh në jetën e saj ndodhi divorci. Pikërisht kjo disfatë në jetën e saj, e largoi pa gjurmë edhe nga familja./tvklan.al