Sonila Meço: “Gatishmëri shumë e lartë, e thashë edhe pak më parë, e qeverisë shqiptare për të siguruar momentin e aplikimit, pra për statusin e vendit kandidat në familjen evropiane brenda apo jashtë presidencës çeke”.

Blendi Fevziu: “Gatishmëri logjike…”.

Sonila Meço: “Është më shumë gatishmëri, dëshirë, vullnet i realizuar apo realizëm? Sa realist është?”

Blendi Fevziu: “Jo, është gatishmëri logjike, nëse do flasim, nuk dua t’ju ha kohë, por nëse do flasim në një analizë sot, sot paradite Greqia ka dorëzuar në Bashkimin Evropian njohjen, pra ratifikimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë ekzaktësisht një muaj nga kjo datë. Pra, në datën 2 Prill të këtij viti Shqipëria do ta konsiderojë zyrtarisht të përmbyllur procesin e Stabilizim-Asociimit dhe fillon një procedurë e re, një procedurë e re ku Shqipëria nuk hyn më në bisedime me Trojkën, por do të hyjë në bisedime me një këshill Shqipëri-BE që ngrihet ose konstituohet në Maj dhe do fillojë të menaxhojë të gjithë hapat e mëtejshëm të Shqipërisë, pra zyrtarisht Shqipëria ka ecur në një rrugë më normale, pra nuk është ngutje, por është etapë normale e ecjes së saj. Duhet të kemi parasysh që nëse Shqipëria po e bën paraqitjen, dmth, po tenton të paraqesë statusin e vendit, të kërkojë statusin e vendit kandidat pasi i ka ndjekur të gjitha etapat dhe nuk ka më vërejtje në këtë drejtim. Mali i Zi e ka bërë, pra, e ka paraqitur në Dhjetor duke mos qenë…Gjysma e parlamenteve të Evropës nuk e kanë ratifikuar ende marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Malit të Zi”.

Sonila Meço: “Kjo është që e ka mbajtur peng dhe Malin e Zi?”

Blendi Fevziu: “Jo, nuk është kjo”.

Sonila Meço: “Pretendohet që është momenti i Bashkimit Evropian…”.

Blendi Fevziu: “Sepse, nuk është kjo, nuk është kjo sepse pavarësisht se nuk mund të mos jetë ratifikuar, ti mund të punosh paralel për statusin e vendit kandidat. Shqipëria ka ndjekur një rrugë më korrekte dhe më të thjeshtë. Mali i Zi ka ndjekur një rrugë më të përshpejtuar. Mali i Zi është bllokuar. Bllokimi nuk ka ardhur ndoshta nga kjo që ju e quajtët. Ka ardhur nga disa faktorë. Faktorët e parë janë ato që lidhen me atë që quhet “sindroma e lodhjes” nga zgjerimi të Bashkimit Evropian, që reflektohet në votimin e votuesve të secilit vend. Duhet të kemi parasysh që ka pasur një debat shumë të madh për Rumaninë dhe Bullgarinë. Debati më i madh në Bashkimin Evropian ka qenë nëse këto dy vende do hyjnë me standardet që kishin dhe do të korrigjoheshin brenda Bashkimit Evropian apo do të liheshin jashtë derisa të korrigjoheshin dhe të hynin. Grupi i atyre që fitoi ishte ai që thoshte duhet t’i fusim kështu siç janë, me këto kushte që janë për t’i ndryshuar rrugës dhe ka qenë një grup që ka pasur probleme. Shqipëria nuk ka këtë problem, Shqipëria ka një problem tjetër. “Sindroma e lodhjes” nga zgjerimi që po e quajmë, pra që votuesit në Gjermani, në Francë, në Irlandë, në Spanjë nuk duan të dëgjojnë më për zgjerimin e Bashkimit Evropian për arsye se zgjerimi iu ka kushtuar, pra ka pasur një kosto për ta, dhe pa mbaruar traktati i Lisbonës Shqipëria do ta ketë të vështirë që të eci përpara, por të jemi të qartë për shikuesit. Problemi i dytë lidhet me krizën ekonomike. Në një moment të një krize ekonomike kur Evropa po konstaton që është më e thellë seç e priste, më e pazgjidhshme seç e priste, kur ekonomistët janë tërhequr për t’ia lënë në dorë politikanëve zgjidhjen e krizës dhe kur politikanët po përpiqen të ecin me intuitë, pra është shumë e vështirë të diskutohet për zgjerimin e mëtejshëm. Përderisa Bashkimi Evropian nuk e futi në mbledhjen e radhës, pra në ministerialin e radhës diskutimin për Malin e Zi, atëherë është e kotë që Shqipëria në këtë moment të shkojë ta paraqesë, por…”.

Sonila Meço: “Pra, të njëjtat arsye që vlenin për Malin e Zi vlen dhe për Shqipërinë”.

Blendi Fevziu: “Por, ka një deklaratë. Berisha thotë, kryeministri Berisha thotë brenda mandatit të presidencës çeke, që do të thotë deri në 30 Qershor të këtij viti dhe unë jam i mendimit që Shqipëria brenda datës 30 Qershor në mirëkuptim dhe bashkëpunim me presidencën çeke dhe vendet e tjera duhet ta paraqesë kërkesën”.

Sonila Meço: “Por, të jemi realistë. Komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn, Ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Schwarzenberg, ambasadori gjerman i akredituar në Tiranë, ambasadori britanik që ka qenë i ftuar dhe në emisionin Opinion janë më skeptikë në lidhje me këtë fakt…”.

Blendi Fevziu: “Janë më skeptikë për datën, por gjithsesi ata nuk, janë më skeptikë lidhur me datën, gjithsesi Shqipëria në gjykimin tim duhet ta paraqesë. Kam parasysh këtu që opozita që një vit përpara ka kërkuar kur nuk kishte mbaruar ende procesi i ratifikimeve, vetë zoti Rama, zoti Ditmir Bushati dhe zonja Dade kanë kërkuar që të bëhet, pra të paraqitet kërkesa për statusin kandidat…”.

Sonila Meço: “Megjithatë kërkesa kësaj radhe konvergon dhe me datën e zgjedhjeve, ku zgjedhjet janë vënë si një…”.

Blendi Fevziu: “Po kjo nuk ka lidhje me zgjedhjet sepse opozita dhe mazhoranca nuk janë të ndarë. Mirë, kjo është gjë tjetër se kur ti do ta marrësh statusin e vendit kandidat t’i paraqet kërkesën deri tek marrja e statusit të vendit kandidat. Padyshim që zgjedhjet dhe sidomos korrektësia në zgjedhje do jetë një nga kushtet kryesore”.

Sonila Meço: “Po mund të ketë pasojë ky aplikim jo në kohën e duhur? Mund të ketë një pasojë negative?”

Blendi Fevziu: “Nuk besoj se ka, nuk besoj se ka ndonjë pasojë të tillë, gjithsesi Shqipëria me paraqitjen e kësaj kërkese varet se sa do të merret parasysh çfarë problemesh mund t’i krijojë vendeve të tjera të Bashkimit Evropian…”./tvklan.al

Gazetare: Sonila Meço