Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken siguroi NATO-n se administrata e Biden do të forcojë mbështetjen e saj për Ukrainën në disa muaj përpara kthimit të Donald Trump si president.

Në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në Bruksel, Blinken tha gjithashtu se vendosja e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në luftën në Ukrainë do të merrte një “përgjigje të fortë”.

“Vendosja e forcave të Koresë së Veriut kërkon dhe do të marrë një përgjigje të prerë. Një nga gjërat që NATO ka bërë vitet e fundit është të forcojë partneritetin e saj me partnerët Indo-Paqësor dhe ne do të bëjmë më shumë në javët dhe muajt në vijim.”

Volodymyr Zelensky që njoftoi se Rusia ka dërguar rreth 50,000 trupa në rajonin e Kurskut, nga 11,000 që kishte fillimisht. Analistët ushtarakë besojnë se presidenti Vladimir Putin po synon të rimarrë territorin e pushtuar nga Ukraina në Kursk përpara se Donald Trump të marrë detyrën si president i ShBA-së në Janar.

Blinken tha pas takimit me Rutte në selinë e aleancës, ata diskutuan mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe punën që NATO duhet të bëjë për të forcuar bazën e saj industriale të mbrojtjes.

“Ne kemi një axhendë shumë intensive dhe të rëndësishme gjatë dy muajve të ardhshëm, dhe siç i thashë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për t’u siguruar që ajo mund të mbrohet në mënyrë efektive kundër këtij agresioni rus.”

Ndërkaq Rusia nisi një valë sulmesh me raketa në të gjithë Kievin sulmi i parë që nga gushti i këtij viti duke detyruar banorët të strehohen në një stacion metroje. Mbrojtja ajrore ukrainase kapi dy raketa  dhe 37 dronë në të gjithë vendin, ndërsa disa ndërtesa u dëmtuan.

Klan News