Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Bashkimi Europian është mbledhur në Berlin. Katër ditë ministrat e jashtëm të vendeve europiane kanë diskutuar për Kosovën dhe qëndrimin europian në rajon. Dosja e vendosur në tryezën e diplomatëve është ajo e buxhetit dhe e reformës së Europës gjatë viteve 2000-2006. Aty do të diskutohet edhe për marredhëniet dhe ndihmat rajonale në kontinentin tonë.

Pas tërheqjes të Oskar la Fonten nga skena politike, duket se drejtimin e ekzekutivit gjerman e dominojnë të rinjtë. Ministri i Kancelarisë Gjermane ka përgënjeshtruar thënien e një të përditëshme e cila akuzon Shrederin për bashkëpunim me qarqet e prodhimit të nuklearëve. Për herë të parë që pas dorëheqjes shfaqet para mediave ish-ministri i Financave dhe ish-lideri Socialdemokrat La Fonten, me djalin e tij mbi supe i cili ka thënë se do të largohet e do të rrijë në shtëpinë e tij në fshat.

Këto janë pamjet e atentatit në Turqi, ku si pasojë gjetën vdekjen 20 vetë dhe janë plagosur shumë të tjerë. Autobomba ishte vendosur pranë një qendre biznesi. Dyshohet se ky akt është vepër e anëtarëve të Partisë Puntore të Kurdistanit, e cila ka reaguar pas burgosjes së Abdullah Oçalan.

Irlanda feston Shën Patrikun, padroni i Ishullit të Ashpër. Qielli i Dublinit është përflakur nga fishekzjarret e panumërta dhe shumëngjyrëshe. Spektakli irlandez i djeshëm ka hapur një javë festimesh të shfrenuara./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori