Drejtoria Arsimore kërkon lirimin e konvikteve në Librazhd dhe Përrenjas. Në këto konvikte prej 10 vitesh banojnë familjarë të ndryshëm që kanë edhe statusin e të pastrehit. Drejtori i Drejtorisë Arsimore në Librazhd Kasëm Balla thotë se këtë vit është hapur për të parën herë shkolla profesionale elektro- mekanike, por mungojnë ambientet. Kështu që një ekip i Ministrisë së Arsimit ka kërkuar lirimin e konvikteve si pronë e kësaj ministrie dhe vënien e tyre në dispozicion të kësaj shkolle. Por kërkesa e Drejtorisë Arsimore ka ndeshur në kundërshtimin e familjarëve të cilët nuk kanë ku të fusin kokën.
Varrezat e 590 dëshmorëve të rrethit të Fierit ndodhen në një gjendje të mjerueshme. Shumë nga pllakat e varreve janë thyer ndërsa bari dhe ferrat kanë kohë që kanë mposhtur lulet e gjelbërimin e bashkisë duke u bërë në këtë mënyrë edhe një kullotë e mirë për kafshët që vijnë aty në çdo orë të ditës. Punonjësit e sektorit furneral kanë bërë gati një projekt për ndryshimin rrënjësor të varrezave, por nevojitet një fond prej 4-5 mln lekësh. Kryetari i Bashkisë së Fierit Baftiar Zeqo premton se këto lek do të sigurohen dhe projekti do të nisë këtë vit.
Një tjetër anije e mbytur është zbuluar në thellësitë e ujërave pranë Portit të Durrësit. Zbulimi i saj është bërë shkak që të shtyhen punimet për thellimin dhe zgjerimin e portit. Ndërkohë firma daneze “Roden Milten”, që po kryen këto punime, ka kërkuar edhe 60 000 dollarë të tjera për të nxjerrë anijen në sipërfaqe, krahas 3 mln dollarëve të akorduara më parë. Thellimi i kanalit hyrës në Portin e Durrësit do të krijojë mundësinë për futjen në këtë port të anijeve me tonazh të lartë. /tvklan.al