Kryeministri Edi Rama ka nisur takimin e tij me shqiptarët e Selanikut këtë të Dielë. Që në krye të herës, ai u kërkoi ndjesë gazetarëve që janë detyruar të presin me orë dje në pikën kufitare me Greqinë.
“U kërkoj ndjesë gazetarëve që pritën për disa orë në kufi, për arsye të panjohura për ne.”
Ai falenderoi ministrin e Jashtëm grek Georgios Gerapetritis për ndërhyrjen e tij në zhbllokimin e kësaj situate, që sipas Ramës është tejet absurde.
“Një situatë që kurrë nuk i ka ndodhur asnjë gazetari grek në kufirin e Shqipërisë”, theksoi kryeministri.
Më tej, ai i kërkoi qeverisë greke heqjen e masës abritrare ndaj gazetarit të njohur Marin Mema.
“Meqë po flasim për lirinë e informimit dhe lëvizjes së lirë të gazetarëve në territorin e Evropës sonë të përbashkët, dua të besoj se vetë qeveria greke do t’i përgjigjet me logjikën e shëndetshme europiane kërkesës që do t’ja drejtojmë zyrtarisht që nesër, për rishikimin e një vendimi absurd të autoriteteve greke, 12 vjet më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi. Marin Mema nuk ka kryer asnjë krim, ai nuk ka bërë asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa punën e tij si gazetar i apasionuar pas gjurmës së historisë së shqiptarëve. Nëse këndvështrimi i tij është i ndryshëm me kushdo qoftë ai që ka marrë vendimin absurd për mos hyrjen në një shtet siç është Greqia mike, ky s’është shkak për t’i hequr arbitrarisht një gazetari lirinë europiane të lëvizjes. Është masë ekstreme, anti europiane, që bie ndesh me çdo vlerë e parim të komunitetit demokratik europian.”
/tvklan.al