Një kulturë e ruajtur me krenari, larmi peizazhesh magjepsëse dhe mikpritje e ngrohtë. Me këto fjalë e përshkruan blogu francez “Mi-fugue, mi-raison” Shqipërinë. Në një udhëtim që ka zgjatur pak më shumë se një muaj nga Korriku deri në Gusht, blogerët francezë  kanë shëtitur pothuajse të gjitha qytetet kryesore, zonat malore më të njohura e sigurisht bregdetin.

Ata zgjodhën Beratin si destinacion të parë, i njohur si më i bukuri në Shqipëri siç shprehen blogerët në këtë reportazh. Lagje të vjetra të adhurueshme, shtëpi tipike prej guri, një kala e vjetër dhe pamje panoramike, çfarë mund të kërkoni më shumë?

Për dy ditë me radhë, destinacioni tjetër ishte Llogaraja, ku shijuan hijen e pishave e më pas zbritën në rivierën që ndodhet midis Dhërmiut dhe Sarandës. Himarën e përshkruajnë si qytetin e vogël, një rajon me një vijë bregdetare verbuese dhe kodra të gjelbra që zhyteshin në dallgët e detit të kaltër.

Përmeti dhe Llixhat e Bënjës janë ato që kanë bërë përshtypje. E më pas Korça, një qytet modern, i vlerësuar nga shqiptarët, i gjallë dhe i freskët në verë, vendi më i famshëm i prodhimit të birrës. Tirana përshkruhet si një kryeqytet modern, i mbushur me vende të ndryshme turistike.

Është e pamundur të mërzitesh atje mes muzeumeve të tij magjepsëse historike, tarracave të restoranteve apo kafeneve, koncerteve dhe shëtitjeve në malin më të afërt. Tirana është ndoshta një nga kryeqytetet e vetme evropiane ku banorët nuk dezertojnë në verë, shkruajnë blogerët francezë.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen e tyre janë edhe Alpet shqiptare, që i cilësojnë si një nga më të bukurat në Europë. Sa i përket ushqimit,  blogu francez përshkruan me detaje gatimet tradicionale, duke rekomanduar edhe përmes një skice vizitorët që të mos ngatërrojnë ujin me rakinë, kur ato janë në të njëjtën tavolinë.

Shqipëria sipas tyre është një nga vendet më të sigurt në Evropë dhe nuk ka asgjë për t’u frikësuar, nga fshati më i vogël deri në kryeqytet.

Klan News