Ben Blushi reagoi pas zgjedhjes së anëtarëve të komisionit ad – hoc, që do të verifikojë kandidatët për institucionet e Vettingut.

Blushi tha se ligji që u votua sot është totalisht partiak duke shtuar se askush nuk beson se kjo klasë politike që e ndau vettingun në dy pjesë, gjysma PS dhe gjysma PD, do të zgjedhë gjyqtarë dhe prokurorë të pakorruptuar.

“Ky proces vettingu nuk ka për të funksionuar”, tha Blushi siç nuk ka për të funksionuar e gjithë reforma në drejtësi.

“Jemi në një krizë politike. Drejtësia e bllokuar dhe zgjedhjet e bllokuara. Kishte vetëm një mundësi sot për të zhbllokuar drejtësinë edhe për të zhbllokuar zgjedhjet, të jepte dorëheqjen. Sot duhej të kishte ardhur për të dhënë dorëheqjen”, tha Blushi.

 “Vasilika voton edhe Roshin edhe ata që duhet ta hetojnë atë”

Ai tha se në votimin e sotëm, në të cilin nuk kishte marrë pjesë, kishte një paradoks shumë të madh, pasi deputetja e Partisë Socialiste ishte edhe pjesë e komisionit për të zgjedhur gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të vendit edhe pjesë e kryesisë së PS-së që kishte votuar Elvis Roshin, i cili u shkarkua si pjesë e dekriminalizmit.

 “Një nga kandidatët që u votua për procesin e vettingut është një zonjë për të cilën kam  shumë respekt, Valisika…Ti zonjë u votove për komisionin e vettingut, pra komisioni i cili parashikohet të përzgjedhë gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të Shqipërisë. Tani çfarë ndodh, Vasilika je edhe në komisionin e vettingut, edhe në kryesinë e partisë Socialiste e cila zgjedh për kryetar bashkie Elvis Roshin. Madje njëkohësisht voton edhe për Elvis Roshin si anëtare e kryesisë së PS-së, edhe si vettingiste voton gjyqtarët që duhet të hetojnë Elvis Roshin. Voton edhe Vangjush Dakon edhe gjyqtarin që duhet të hetojë Lulzim Berishën, të cilin Dako e nxjerr nga burgu”, tha deputeti dhe kreu i Libra-s, Ben Blushi./tvklan.al