Përfaqësuesit e televizioneve kombëtare dhe informative u bënë bashkë tek Autoriteti i Mediave Audiovizive për të diskutuar rreth projektligjit për mediat audiovizive, i cili mundëson krijimin e fondit të transmetimeve. Drafti parashikon që një pjesë të tarifës për përdorimin e aparateve t’u kalojë edhe televizioneve jopublike. Ndërkohë që nuk preket, por përkundrazi shtohet fondi edhe për Televizionin Publik Shqiptar.

Publiku shqiptar paguan tarifën për përdorimin e aparatit, tarifë e cila 100 % shkon për Televizionin Publik, ose Televizionin Shtetëror se ai Publik nuk ka qenë asnjëherë. E ndërkohë që publiku që paguan për Televizionin Shtetëror çdo natë, apo çdo ditë sheh televizionet private”, tha Aleksandër Frangaj.

 

Projektligji synon edhe përmirësimin e pavarësisë së mediave në Shqipëri në kushtet e rritjes së kostove për shkak të ndryshimit të teknologjisë së prodhimit dhe transmetimit. Përfaqësuesit e mediave i kërkuan qeverisë që të shpërndaje dekoderat falas për kanalet pa pagese.

 

“Pas fikjes së transmetimeve analoge në disa prej qarqeve të Shqipërisë si në Berat, Korçë, Fier, përqindja e popullsisë që ka marrë aparat për të ndjekur transmetimet digjitale është jashtëzakonisht e ulët, as 5 për qind. Parashikohet në këtë ligj që nëpërmjet tarifës së përdorimit të aparatit televiziv, një përqindje e saj e caktuar të shkojë për pajisjen me dekodera falas për të gjithë qytetarët e këtij vendi”, tha Frangaj.

Rritja e pavarësisë ekonomike të televizioneve sipas drejtuesve të tyre shkon paralel me atë editoriale.

“Ky ligj i rrit pavarësinë televizioneve private ndaj çdo lloj qeverie, kushdo qoftë ajo, ditën që hyn në fuqi. Sepse qeveria, sipas ligjit, nuk do të ketë kurrë diskrecion, apo fuqi, apo hapësirë, për të përcaktuar mënyrën se si do të ndahet fondi”, tha Ben Blushi.

Me ndryshimet ne ligjin për mediat audiovizive pritet të marrë fund faza kritike ku ndodhet informacioni.

Zgjidhje sipas Kreut të Autoritetit të Mediave Audiovizive pritet të marrë gjithashtu edhe çështja e reklamave dhe ajo e gazetarëve.

Drafti që parashikon t’i japë fund fazës tranzitore ku ndodhet televizioni në Shqipëri kërkon konsensusin e opozitës dhe mazhorancës në parlament.

Në vitin 2012 kur projektligji u dërgua ne seancë plenare, konsensusi mes mazhorancës së djathte dhe opozitës së majtë mungoi.

Tv Klan