Vendimi i partive të vogla një ditë më parë, për bojkotim të Komisionit Parlamentar për refromën zgjedhore, nuk pengon funksionimin e komisionit edhe nëse mbetet vetëm me dy partitë e mëdha socialiste dhe demokrate. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode shprehet se deklarata e partive të tjera parlamentare nuk i shërben kryerjes së një procesi zgjedhor të drejtë, por i fton përsëri ato të reflektojnë dhe të bëhen pjesë e komisionit.

Ridvan Bode: “Ajo që është shqetësuese, mendoj unë, për të gjitha partitë politike opozitare, nuk ka të bëjë me: çfarë peshe do të ketë vota e secilës prej partive në këtë komision bipartizan, por me disponimin e krahut të shumicës së sotme për të pranuar ndryshime rrënjësore në procesin elektoral sipas rekomandimeve të bëra nga sesione ndërkombëtare dhe për të garantuar një proces elektoral të lirë dhe demokratik.”

Ndërsa një nga anëtarët e opozitës së komisionit për reformën elektorale, Fatos Beja shprehet se komisioni do të ngrihet edhe pa të vegjlit. Vendimi i tyre, sipas Bejës, nuk i shërben interesave elektorale dhe nuk dëmton aspak dy forcat e mëdha politike në vend.

Fatos Beja: “Është e drejta e çdo partie të vijë ose të mos vijë. Pavarsisht nga kjo, po e përsëris, që ne jemi të prirur për të mbrojtur interesat e të gjitha partive, sepse ne kërkojmë në këtë komision të realizohen rekomandimet e raportit të ODIHR-it. Vendimi është marrë dhe komisioni do të funksionojë.”

Gazetarja: “Vetëm me dy partitë e mëdha?”

Fatos Beja: “Duhet të dini që ka modele të ndryshme të funksionimit të parlamenteve. Përfaqësuesit e grupeve të ndryshme parlamentare përbëjnë më shumë se gjysmën e numrit të karrikeve në parlament, sepse kjo lidhet me përfaqësimin. Dhe kur ju thoni dy partitë e mëdha apo disa nga partitë më të mëdha kuptohet që vendimmarrja është e plotë dhe e pacënuar.”

Nga partitë opizitare që pranuan të hyjnë në komision ishin legalistët dhe reformatorët, por vendimi i përbashkët i tryezës bëri që të dalin nga komisioni derisa Gjykata Kushtetuese të shpallë vlefshmërinë e këtij komisioni. /tvklan.al