Klubet diskutojnë 3 orë, por pa një vendim për të ardhmen
Pas thuajse 3 orë mbledhjeje, klubet e Superligës si anëtarë të Ligës Profesioniste të Futbollit, nuk morën asnjë vendim, për fillimin ose jo të kampionatit, apo përshkallëzimin e protestave të tyre me qëllim plotësimin e kërkesave ekonomike nga ana e qeverisë.
Tv Klan ka zbuluar se një pjesë e klubeve, janë shprehur pro nisjes së kampionatit nëse qeveria jep sinjale se do t’i marrë në konsideratë kërkesat e tyre, qoftë kjo ngritja e një grupi pune për të analizuar argumentet e klubeve, apo propozimi direkt i tyre në komisionet parlamentare.
Por qeveria nuk tërhiqet dhe përgjigjia erdhi nga vetë Kryeministri në një dalje për mediat.
“Po që futbollistë kërkojnë 10 vjet pa taksa kjo nuk funksionon. Ne po bëjmë minimumin 300 mijë lekë për pastrueset, këta na deklarojnë nga 230 mijë lekë. Por ndërkohë historia e këtij futbolli me pronarë që duan të shkarkojnë nëpër klube paratë që i detyrohen shtetit si pronarë aktivitetesh të tjera nuk kalon, as historia me biznesmenë të pasur që kanë veshur fanellën e futbollit dhe kujtojnë se mund të luajën topash me qeverinë, nuk kalon”.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk do ta marrë në konsideratë bojkotin e futbollit.
“Gjuha e forcës, bojkotit dhe shantazhit me mua nuk funksionon. Duan të bojkotojnë të bojkotojnë, nuk ka problem. Ata janë të pavarur nga qeveria. Qeveria nuk ka detyrime ndaj futbollit profesionist. Gjithë sportet e tjera mund të ngrihen e të thonë po ne”.
Nga ana tjetër, mësohet se ka luhatje mes anëtarëve të Ligës Profesioniste. Edhe pse të gjithë janë shprehur se nuk do të zbresin në fushë për sezonin e ri, nën zë, disa presidentë kanë lënë të kuptohet se duhet të nisin kampionatin.
Tv Klan