Kryeministri Sali Berisha e cilësoi akt antidemokratik, kërkesën që Partia Socialiste i drejtoi Këshillit të Europës, që në fjalë të fundit i kërkonte përjashtimin e Shqipërisë nga pjesëmarrja në këtë organizëm të rëndësishëm. Për të mbështetur atë çfarë tha përpara medias, kryeministri lexoi letrën e selisë rozë.

Sali Berisha: “Udhëheqja politike e PS, në një akt të pa precedent në historinë e KE-së. Në historinë 15 vjeçare të Shqipërisë, i shkruan letër bazuar në nenin 7 të rregullores së procedurës. Ne sfidojmë kredencialet e një anëtari të delegacionit dhe bazuar në nenin 8, ne sfidojmë kredencialet e delegacionit shqiptar në asamblenë parlamentare të KE-së. Sfidimi i kredencialeve është kërkesë de facto për përjashtimin e Shqipërisë.”

Kryetari i qeverisë tha, se Kuvendi zbatoi rregulloren në paraqitjen  e delegacionit shqiptar përfaqësues në asamblenë parlamentare të KE-së. Madje edhe në rastin e përfshirjes në të, të emrit të Kastriot Islamit.

Sali Berisha: “Dërgimi i tij nuk u bë në mënyrë kategorike absolute, as për diversion, as për sfidë ndaj PS-së, dërgimi i tij u bë sepse ai ishte anëtari i kryesisë dhe është anëtari i kryesisë së PS-së, sepse ai ishte i vetmi nga PS-ja që kishte kredenciale në Asamblenë Parlamentare të KE-së. PS-ja është përfaqësuar vetëm me zotin Islami në 4 vitet që shkuan, sepse vendin tjetër ia dha vullnetarisht zotit Milo.”

Kryeministri tha se asnjëherë nuk dyshoi në vendimin e drejtë që KiE do të merrte në këtë rast, duke miratuar kredencialet e Shqipërisë.

Sali Berisha: “I dha kështu goditjen e merituar dhe fatale. Bojkoti dëshmoi se tempulli i demokracisë nuk shpërblen dhe nuk mund të shpërblejë në asnjë rrethanë bojkotin. Mendoj se është në dinjitetin e kësaj force politike të kërkojë ndjesë publike për veprimin që ka bërë.” 

Duke u ndalur tek bojkoti Berisha tha se edhe socialistët europianë në Strasburg janë shprehur kundër tij, duke u cituar përfaqësuesve të PS deklarata kontradiktore të kryetarit Rama për njohje të rezultatit të zgjedhjeve, por mos pranim të futjes në Kuvend.

Sali Berisha: “Përfaqësuesi i lartë i MB u shpreh se nesh Rama është kaq i zoti të hyjë në garën e ardhshme dhe të fitojë sikurse bëri Berisha pas 8 vitesh opozitë. Imagjinoni ju që ata më kanë përshkruar mua si diktatorin më të egër. Enveri iu dukej lule, e paraqisnin si lule atë njeri.”

Kryeministri ftoi sërish opozitën të futet në Kuvend dhe të heqë dorë nga skenarë që synojnë mos djegien e mandateve të deputetëve.

Sali Berisha: “Shefi i delegacionit të PS-së ka deklaruar në këtë takim se bojkotin do vazhdojmë, por në parlament do hyjmë për të mos humbur mandatin. Sërish u bëj thirrje socialistëve të kthehen, nuk ka akt më ç’burrëror se sa të thuash po hyj në parlament dhe të dal nga parlamenti, ajo është punë e tyre dhe në i ftoj të hyjnë në parlament. I garantoj në një bashkëpunim luajal, në një respekt të plotë të rolit të tyre në parlament.” 

Vendimi i qeverisë për ngritjen e komisionit qendror të regjistrimit  të  popullsisë bëri që kryeministri të ndalet në dy argumentet që kanë ngjallur debat publik, deklarimi i përkatësisë etnike dhe fetare në regjistrim.

Kryeministri e cilësoi debatin e nevojshëm, por tha se fakti që shqiptarët ndër shekuj i kanë dhënë rëndësi identitetit sesa përkatësisë së tyre fetare hedh poshtë çdo aludim se deklarimi i këtij elementi në procesin e regjistrimit do të përbënte problem. E njëjta gjë dhe për etninë, të cilën kryetari i qeverisë e cilësoi një normë konstante për vendin duke ju referuar proceseve të ngjashme të regjistrimit që nga koha e mbretit zog./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi