Ethet në Kampionatin Botëror “Rusi 2018” janë duke vazhduar me ndeshjet e fundit në fazën e grupeve, ndërsa edhe tek kukullat “matrioshka”, simbol i Rusisë, ka një emocion të ndryshëm.

Ata që shkojnë në një ndër vendet më turistike të njohura të Moskës, Tregu Izmailovo, mund të hasin kukullat “Matrioshka” të yjeve të futbollit të Kampionatit Botëror.

Kukullat “Matrioshka” me figurën e portugezit Cristiano Ronaldo, argjentinasit Lionel Messi, brazilianit Neymar dhe atij francez Antoine Griezmann, tërheqin vëmendjen e dashamirëve të futbollit. Ndërsa interesi më i madh shfaqet për Ronaldon dhe Messin.

Përveç me yjet e futbollit, kukullat matrioshka janë edhe me figurat e sportistëve të njohur të NBA-së dhe NFL-së, të cilat gjithashtu preferohen nga dashamirët e sportit.

Ndër kukullat matrioshka gjenden edhe emrat e njohur të politikës botërore.

Mes tyre janë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe ai iranian Hasan Ruhani, themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk, presidenti aktual i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, etj.

Historia e kukullave “Matrioshka”

Kukullat “Matrioshka” të cilat u dizajnuan në shekullin 19-të në Rusi për zhvillimin mental të fëmijëve, u shndërruan në ikonë të shtetit.

Tetë kukulla të futura brenda njëra tjetrës të dizajnuara në vitin 1890 nga artisti rus Sergej Maljuti dhe të bëra nga artisti i gdhendjes së drurit Vasily Zvjozdoçkin, emrin e tyre e morën nga emri i famshëm për femra gjatë asaj periudhe “Matrijona”.

Kukullat nga druri deri në fillim të shekullit 20 përdoreshin në shkolla për zhvillimin mental të fëmijëve, për mësimin e ngjyrave, dimensioneve dhe koncepteve familjare.

Kukullat për herë të parë u ekspozuan në vitin 1904 në një panair ndërkombëtar në Paris dhe u bënë të njohura në të gjithë botën me emrin “Matrioshka”.

/AA