Spanja e Rusia shumë pranë, rrezikon Portugalia e Ronaldos
Portugalia e Cristiano Ronaldo e ka shtyrë për në sfidën e fundit kualifikimin në grupet e Botërorit të Katarit 2022. Luzitanët nuk shkuan më shumë se një barazim 0-0 në Dublin ndaj Irlandës dhe dueli i së dielës ndaj Serbisë do vendosë edhe fituesin e grupit dhe “biletën” për në turneun e madh të vitit të ardhshëm. Serbia e Portugalia numërojnë pikë të njëjta në grupin A, me Ronaldon që është më pranë për shkak të golavarazhit.
Suedia dështon 2-0 ndaj Gjeorgjisë dhe rrezikon jo pak kualifikimin në Botëror. Skandinavët u mposhtën në mënyrë surprizë dhe parakalohen nga Spanja, që triumfoi 1-0 përballë Greqisë dhe numëron një pikë më shumë se ekipi i Ibrahimovic. Të dielën do të ketë përballje direkte mes dy kombëtareve që do kërkojnë të shkojnë menjëherë në Katar.
Rusia ka një këmbë në Katar falë fitores tenistike 6-0 ndaj Qipros. Kombëtarja ruse u ngjit në kuotën e 22 pikëve dhe konsolidon vendin e parë me dy pikë më shumë se Kroacia, që nga ana e saj triumfoi me shifrat 7-1 përballë Maltës. Në fundjavë, do të ketë sfidë mes Rusisë dhe Kroacia, ku rusëve iu mjafton edhe një barazim për të vijuar rrugën i qetë.
Gjermania tashmë e kualifikur në Kupën e Botës vijon të jetë e pamëshirshme në grupin H. Pancerat mposhtën me rezultatin e thellë 9-0 Lihtenshtejnin. Sane e Myler shënuan një dopietë personale, ndërsa dy prej golave u realizuan nga futbollistët miq që gabuan koordinatat dhe tundën rrjetën e tyre.
Klan News