Vllaznia ka një ndeshje të vështirë në transfertë kundër Egnatias në takimin e javës së 13 të kampionatit shqiptar. Kuqeblutë po kalojnë një formë të mirë, ndërsa kanë dy fitore radhazi, e kryesojnë renditjen bashkë me Partizanin.
Trajneri i Vllaznisë Tomas Brdariç deklaroi në konferencën për shtyp se skuadra e tij do të kërkojë triumfin në “Arena Egnatia”.
“Me Egnatian luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme, kundër ekipit që ishte kampion vitin e kaluar. Një ekip me mjaft eksperiencë dhe një trajner me mjaft eksperiencë që kanë objektiva të mëdha këtë sezon. Në Rrogozhinë është një sfidë e madhe!”
Tekniku i ka të qartë hapat që duhet të ndjekë ekipi, që të arrijë objektivin kundër rrogozhinasve
“Duhet të shfaqim shumë energji në fushë dhe të kemi një plan të mirë për takimin. Në 90-minuta duhet të kemi përqëndrim dhe të jemi të disiplinuar. Të luajmë stilin tonë dhe të përfitojmë nga pikat e dobëta të Egnatias. E dimë që është e rëndësishme të luajmë deri në fund. Na duhet një sfidë e madhe ndaj Egnatias.”
Në 12 ndeshje, Vllaznia ka fituar 6 herë dhe ka humbur 3 të tjera. Të trija dështimet e shkodranëve kanë ardhur nga sfidat në transfertë.
Klan News