Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Kryeministri Majko në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave ka kërkuar që organet vendore të Pushtetit Lokal të marrin të gjitha masat për përfundimin e asfaltimit të rrugëve në 16 akset kryesore të Tiranës, përndryshe 170 milion lekët e dhëna nga buxheti i shtetit do t’ju kalojnë Bashkive të tjera të vendit. Ndërkohë Kryebashkiaku Brojka përgjigjet për fondet e dhëna, kohën e tyre dhe punën konkrete të bërë deri tani.
Albert Brojka, Kryetari i Bashkisë së Tiranës:- “Në qoftë se është e vërtetë që është prononcuar në këtë mënyrë më vjen keq që Kryeministri Shqiptar nuk njeh ligjet me të cilat funksionon ky vend. Nuk është kopetencë e tij të tërheqi fondet. Fondet janë vënë në dispozicion të institucionit të Bashkisë, janë prokuruar, janë lidhur kontratat dhe po punohet në përputhje me ligjin. Me një vendim Qeverie datën 15 Korrik të këtij viti Bashkisë Tiranës i jepen 50 milion lekë të reja për rrugën “Ali Demi”, sistemim dhe asfaltim. Në një kohë rekord janë kryer të gjitha procedurat e negocimit, të lidhjes së kontratave, caktimit të supervizorëve dhe ka filluar puna menjëherë. Theksoj se është shumë vështirë të punohet pasi është një rrugë qorre dhe aty vazhdimisht ka lëvizje njerëzish dhe makinash. Për ta përmiresuar akoma më tej këtë situatë në rrugën “Ali Demi” është prokuruar gjithashtu dhe një fond prej 16 milion lekësh të reja që së bashku me 7 milion lekë të reja që kishte Bashkia e Tiranës u bënë 23 milion, është negociuar ky fond dhe është lidhur dhe kontrata dhe ka filluar puna kësaj radhe për ujësjellësin. Investim tjetër i Bashkisë së Tiranës ështe Diga e Liqenit Artificial, 140 milion lekë të reja. Fondi i disbursuar më 15 Korrik dhe brenda një kohe rekord janë lidhur kontratat, është bërë negocimi, kanë caktuar supervizorët dhe po punohet me ritme shumë të përshpejtuara. Investime të tjera janë të dorës së dytë, ato janë në përfundim e sipër”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti