Dhuna në parlamentin maqedonas dhe kriza politike atje, ishte kryefjala e takimit informal në Maltë, mes ministrave të jashtëm dhe përfaqësuesve të shteteve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Disa nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian dhe vetë shefja e diplomacisë, Federica Mogherini, dënuan rreptësisht dhunën në Parlamentin e Maqedonisë dhe kërkuan formimin e qeverisë në bazë të rezultatit të zgjedhjeve.
Sigmar Gabriel, ministër i jashtëm i Gjermanisë:
“Përkeqësimi i situatës në Maqedoni është shumë shqetësues. Situata e brendshme po rrezikon që ta çorientojë vendin nga rruga europiane. Qeveria duhet të formohet në bazë të rezultatit të zgjedhjeve. Presidenti Ivanov duhet të rimendojë vendimin e tij në interes të qytetarëve të vendit”.
Federica Mogherini, shefja e diplomacisë europiane:
“Ajo që kemi parë dje në Shkup është shumë trishtuese dhe shqetësuese për të gjithë ne. Të gjithë në Shkup duhet të respektojnë parimet kushtetuese, demokracinë dhe ta nxjerrin vendin nga kjo krizë serioze”
.
Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki tha se zgjedhja e kryetarit të Parlamentit nuk është në përputhje me kornizën ligjore në vend.
Nikola Poposki, ministër i jashtëm i Maqedonisë:
“Zgjedhja e presidentit nuk është në përputhje me proçedurat e Parlamentit dhe me legjislacionin e vendit. Gjithçka ka ndodhur lidhur me dhunën, duhet të dënohet, por nga ana tjetër dialogu është e vetmja rrugë përpara”.
Mirëpo kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Talat Xhaferi, deklaroi për mediat vendase se pavarësisht dhunës nda deputetëve, procesi i formimit të institucioneve do të vijojë javën e ardhshme.
Tv Klan