Banka e Shqipërisë ul me 0.25% normën bazë të interesit për Lekun, duke e çuar këtë tregues në nivelin 2.75%. Guvernatori Gent Sejko theksoi se, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo lëvizje do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen.

Guvernatori Gent Sejko: Të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 3% në nivelin 2.75%; të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 2% në nivelin 1.75%; të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 4% në nivelin 3.75%.

Guvernatori u shpreh se, inflacioni po afrohet në afatmesëm gradualisht drejt objektivit të BSH-së në nivelin 3%. Ndërsa theksoi se ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gysmës së parë të vitit 2024, trend i cili pritet të vijojë deri në përfundim të këtij viti.

Guvernatori Gent Sejko: Ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë gjysmës së parë të vitit. Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se ky ritëm rritjeje do të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike e vitit 2024 është mbështetur në masën më të madhe nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve në ekonomi. Paralelisht me të, edhe zgjerimi i eksportit të shërbimeve ka pasur një ndikim pozitiv, kryesisht në sajë të rritjes së të ardhurave të turizmit, ndërkohë që rritja e importeve, rënia e eksportit të mallrave dhe politika konsoliduese fiskale kanë pasur ndikim frenues.

Banka e Shqipërisë konstaton se ka një rritje të shpejtë të kredisë gjatë vitit 2024, duke prekur nivelet 16.8% në tremujorin e tretë dhe shënuar nivelin më të lartë të më shumë se një dekade. Shtimi i kërkesës nxitet nga kreditimi në Lekë dhe është i orientuar drejt plotësimit të nevojave të bizneseve për investime dhe të individëve për blerje banesash.

Klan News