Universitetet kanë shpallur kuotat e mbetura bosh pas mbylljes së raundit të parë të regjistrimeve. Universiteti Bujqësor ka ezuaur pothuajse gjysmat e kuotave pasi sipas rektorit Fatbardh Sallaku janë regjistruar në total 650 studentë, ndërkohë që 6 programe studimi kanë më pak se 10 studentë.
Fatbardh Sallaku, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës: Bëhet fjalë për programet e fushës së bujqësisë që është zooteknia, peshkimi, fruti-kultura, mbrojtja e bimëve, agronomi, inxhinieri pyjesh fatkeqësisht. Janë programe që pavarësisht favoreve, nevojave, vendeve të punës, mbështetjes financiare që qeveria shqiptare jep për një numër të caktuar kuotash për këto lloj programesh përsëri të rinjtë kanë hezituar dhe nuk i kanë parë me prioritet. Universiteti Bujqësor i Tiranës fazën e parë e ka mbyllur me një shifër rreth 55-60% të kuotave të plotësuara.
Sipas rektorit të Bujqësorit maturantët duhet të kthejnë vëmendjen nga Bujqësori pasi e kanë punën të siguruar sapo mbarojnë studimet. Ndaj ju bën apel që me nisjen e regjistrimeve nga data 19-21 Shtator të zgjedhin këtë universitet.
Fatbardh Sallaku, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës: Në fazën e dytë të rinjtë ta rikonsiderojnë edhe njëherë këtë ofertë akademike sepse programet që ofron univeristeti Bujqësor janë programet e vetme dhe nga më të rëndësishmet që i duhen jo vetëm univeristetit Bujqësor, por i duhen ekonomisë shqiptare sepse bëhet fjalë për profesione që do të ekzistojnë këtu e 100 vitet e ardhshme dhe profesione të cilat vendi i punës është i garantuar që ditën e parë të diplomimit.
Pas marrëveshjes me universitetin Boku të Vjenës, universiteti Bujqësor është në një fazë të thellë ndryshimi.
Fatbardh Sallaku, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës: Në harkun kohor të 4 apo 5 viteve të ardhshme të gjithë këto të rinj që studiojnë këtu nuk do të marrin vetëm diplomën e universitetit Bujqësor të Tiranës, por do të marrin diplomën e universitetit Bujqësor të Tiranës si dhe të një prej universiteteve më të mirë të shkenacve të jetës në Europë siç është universiteti Boku i Vjenës.
Rreth 16 mijë maturantë janë regjistruar në universitet në raundin e parë ndërkohë që fituesit e raundit të dytë pritet të shpallen më 25 Shtator, dhe regjistrimet do të nisin nga data 28 Shtator, deri në fillim të vitit akademik më 7 Tetor.
Klan News