Presidenti kroat Zoran Milanoviç nuk arriti  të siguronte votat e duhura për të fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën të dielën.

Milanoviç do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kundër kandidatit të partisë konservatore në pushtet, Dragan Primorac. Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet pas dy javësh. Sipas rezultateve zyrtare, me  pothuajse të gjitha votat e numëruara  Milanoviç fitoi 49% ndërsa kundërshtari i tij politik Dragan Primorac fitoi 19%.

Sondazhet e opinionit kishin parashikuar se të dy do të përballeshin në raundin e dytë më 12 janar pasi asnjë nga tetë  kandidatët nuk  pritej të merrte më shumë se 50% të votave. Milanoviç është një politikan kritik ndaj qasjes së Bashkimit Europian dhe NATO-s në Ukrainë. Ai është kundër ndihmës ndaj Kievit, duke argumentuar se lufta e Ukrainës nuk i përket vendit të tij.

Shpesh është krahasuar me Donald Trump për stilin e tij luftarak të komunikimit me kundërshtarët e tij  politikë.

Klan News