Përderisa po bëhen përpjekje për tejkalimin e kontestit rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, paralajmërime serioze për Shkupin zyrtar kanë arritur nga Sofja.
Presidenti bullgar, Georgi Prvanov, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Focus e ka akuzuar kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski, për shprehje të pretendimeve territoriale ndaj Bullgarisë.
Akuzat e këtilla kanë ardhur si reagim ndaj deklarimit të Gruevskit para diasporës maqedonase në Australi ku ka thënë se maqedonasit e atjeshëm kanë mundësinë për të jetuar të bashkuar me maqedonasit nga Maqedonia e Pirinit dhe Egjeut mundësi të cilën nuk e gëzojnë në Maqedoni.
Nikolla Gruevski: “Në Australi maqedonasit kanë mundësi të veçantë të cilën nuk e kanë në Maqedoni, e ajo është që të jetojnë bashkërisht me bashkëkombësit e tyre nga Egjeu dhe Pirini andaj ju ftoj që të mos ndaheni rreth kësaj çështje sepse nuk ekzistojnë vardaras, egjejas, ose pirinas, ekzistojnë vetëm maqedonas.
Prvanov ka vlerësuar se deklarimi i këtillë i Gruevskit është i palejueshëm, duke paralajmëruar njëkohësisht se qëndrimi i këtillë mund të reflektohet edhe në rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.
Fërkimet në raportet Shkup-Sofje vijnë në momentet kur janë paraqitur sinjale pozitive për tejkalim të kontestit rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve Guevski sot në Bruksel është takuar me kryeministrin grek Jorgos Papandreu, kurse presidenti maqedonas, Georgi Ivanov, në një intervistë për BBC ka paralajmëruar për herë të parë se çështja e emrit mundet të zgjidhet edhe pa referendum.
Nga Shkupi për TV Klan, ISen Saliu/tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu