Qeveria shqiptare dhe ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve duket se do të mbajnë premtimin për një fluks të madh turistësh në vendin tonë dhe kjo është e mundur falë investimeve të shumta në infrastrukturë dhe promocionit të larmishëm në mediat ndërkombëtare.
Në 6 muajt e para të këtij viti mësohet se turizmi ka patur një zhvillim mjaft pozitiv. Të dhënat e ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve tregojnë qartë, se që nga janari e deri më tani vendi ynë është vizituar nga 800 mijë persona, shumica e të cilëve janë shtetas të huaj. Jo vetëm nga rajoni, por edhe vende të tjera të BE.
Statistikat tregojnë se po të krahasohet me vitin 2007, këtë vit turizmi në vendin tonë ka patur një rritje mjaft pozitive. Saktësisht siç shihet edhe nga tabela kemi një rritje edhe prej 23% të vizitorëve të huaj nga një vit më parë. 53% më shumë vizitorë nga viti 2006 dhe 95% vizitorë më shumë nga viti 2005.
Numri më i madh i turistëve ka hyrë në vendin tonë në muajin qershor, që përkon edhe me nisjen e sezonit të verës. Rritja e numrit të vizitorëve të huaj në vendin tonë vjen jo vetëm falë larmisë së spoteve të transmetuara në CNN apo edhe në mediat më prestigjioze të rajonit, por edhe të përmirësimit të kushteve, investimit në infrastrukturë dhe burimeve të mrekullueshme natyrore.
Një kombinim i të cilave shfrytëzohet më së miri nga agjencitë turistike dhe mediat e huaja për ta përshkruar Shqipërinë si një destinacion mesdhetar të bukur turistik./tvklan.al