Të zgjedhësh për të pushuar plazhet duhet të bësh llogaritë edhe me rreziqe. Kjo për shkak të motorëve të ujit të cilët lundrojnë fare afër bregut të detit. Ata janë të shpejtë e fuqishëm dhe shpesh herë mund të ndodhë që dalin jashtë kontrollit të drejtuesve të tyre. Pamjet e filmuara sot në bregdetin e Durrësit tregojnë qartë kaosin që mbizotëron nga përdorimi i tyre në ujërat e Adriatikut.
Vetë pushuesit ndihen të kërcënuar nga prania e këtyre motorëve, duke zgjedhur në të shumtën e rasteve të mos lahen në de, por të qëndrojnë në çadrat e tyre.
Pushuesi 1: “Duhet të kem shumë kujdes nga këta që ngasin këto motorët se aksidentet mund të ndodhin dhe janë me pasoja pastaj.”
Pushuesja 1: “Sepse ato vijnë këtu afër dhe ka shumë kalamaj dhe dikush mund të zhytet dhe ato mund të kalojnë sipër, prandaj kemi frikë.”
Pushuesi 2: “Motorët gjithsesi duhet të largohen se janë të rrezikshëm edhe për fëmijët edhe për të gjithë turistët që kanë ardhur këtu të pushojnë.”
Pushuesi 3: “Shumë shumë e domosdoshme që të marrin masa për motorët vetë. Gjithë kjo bukuri ta prishi një motor.”
Pushuesja 2: “Një pakujdesi e vogël mund të ndodhi një hata e madhe. Pastaj është shumë e rëndësishme që mos të jenë këtu, të paktën larg një vije më të largët mendoj.”
Fakt është se motorët e ujit mund ti përdorë kushdo, pavarësisht moshës apo aftësive fiziko-mendore. Mjafton që të paguajë një shumë prej 8 mijë lekësh në orë. Vetë pronarët e këtyre mjeteve pranojnë jashtë kamerës se biznesi i tyre është i paligjshëm. Jo vetëm sepse ata nuk janë të pajisur me licencë për të kryer këtë aktivitet, por në të shumtën e rasteve fuqia e mjeteve motorike i kalon të 1300 kubikët e lejuar nga moratoriumi i skafeve. Por edhe pse qytetarët janë ankuar shpesh lidhur me këtë shqetësim policia kufitare duket se mjaftohet vetëm patrullime rutinë./tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi