Gjykata e Lezhës mbylli në qeli pa afat portugezin Ruben Saraiva, duke lënë në fuqi masën e “arrestit në burg” me dyshimet se është vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj.
Saraiva prej të dielës, 31 Dhjetor, iu dorëzua drejtësisë shqiptare nga Maroku që e arrestoi atë disa javë pasi ishte shpallur në kërkim.
Ai u transportua nga paraburgimi 313 në Tiranë drejt Gjykatës së Lezhës me forca të shtuara policie dhe në një seancë e cila nuk zgjati shumë.
Ai mësohet të ketë mohuar implikimin në vrasjen e 19 Prillit 2023.
28-vjeçari i tha gjyqtari të hetimit paraprak se në Shqipëri kishte ardhur me pushime dhe akuzat ndaj tij i kishte mësuar nëpërmjet medias.
Avokati i caktuar nga shteti, pas seancës tha për mediat se shtetasi portugez mohoi të kishte njohje me viktimën apo me ndonjë shqiptar tjetër.
“Reagimi ishte që unë nuk kam asnjë lidhje me atë ngjarje për të cilën po akuzohem, kam marrë dijeni nëpërmjet mediave, jam arrestuar në Marok ku isha për punë të tjera. Nuk kam asnjë njohje, tha, as me atë as me ndonjë shqiptar. Në Shqipëri tha që kishte qenë për pushime”, deklaroi për gazetarët Elton Laska, avokati i Saraivës.
Por prokuroria thotë se ka prova që Saraiva është ekzekutori i Nikulajt brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës.
Hetuesit besojnë se ai bashkë me 4 shtetas të tjerë britanikë; Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson janë porositur nga shqiptari Edmond Haxhia, të gjithë në proces ekstradrimi në Angli, për kryerjen e vrasjes.
Sipas policisë, familja e Haxhisë është prej vitesh është në hasmëri me fisin e viktimës Ardian Nikulaj dhe konflikti ka prodhuar shumë të vrarë.
Tv Klan