Shoqëria patriarkale në Maqedoni si duket akoma ushqen stereotipet gjinore.
Ndoshta në këtë raste vlen thënia e politikanes shqiptare Ganimete Musliu, se të jesh femër në politikën shqiptare, duhet të jesh 3 herë më e fortë se burrat.
Kjo i demotivon shumë femra, të cilat nga frika e paragjykimeve dhe shpifjeve të paskruptullta vendosin të mos hyjnë ujërave të politikës.
Dhe ky është realiteti, Partitë politike shqiptare në Maqedoni në garë për zgjedhjet lokale të caktuara më 15 tetor, drejtimin e komunës ia kanë besuar vetëm një gruaje – Teuta Arifi, e cila do të garojë për të marrë besimin nga elektorati në komunën e Tetovës edhe për një mandat.
Ermira Mehmeti, ish-deputete e cila ka mbajtur poste të larta në Bashkimin Demokratik për Integrim, thotë se femra shqiptare në Maqedoni nuk ka një pozicion progresiv, afirmativ, por ka një pozicion të heshtur pothuajse margjinal dhe inekzistent në politikë.
”Për mua është shokuese që Bashkimi Demokratik për Integrim, si partia më e madhe nga fotografitë promovuese që shohim, nuk e ka as edhe një femër të vetme. E njëjta gjë ndodh edhe me partinë e re BESA, e cila thotë se është bashkëkohore, por rreth vetes nuk ka asnjë femër në aktivitetet partiake.
Në këtë drejtim, duket se mundohet Aleanca për Shqiptarët, por një zë të artikuluar të femrës në këtë fushatë te partitë politike shqiptare, ne nuk po shohim”, thotë Mehmeti, e cila kohë më parë kishte deklaruar se tërhiqet nga të gjitha aktivitetet në parti, duke u fokusuar në profesionin e saj si notere.
Një pengesë tjetër në rrugën e gruas që të jetë pjesë aktive e shoqërisë në Kosovë është edhe mungesa e mbështetjes nga ana e familjes.
E nëse femra shqiptare arrin të kalojë të gjitha këto pengesa e të ngjitet në poste politike, si person publik ajo përballet shpesh me rrezikun e fyerjeve dhe sharjeve të rënda në rrjetet sociale.
Politika shqiptare në Maqedoni dominohet nga meshkujt. Shumëherë gratë dinë që edhe me gurët që u pengojnë rrugën të ndërtojnë diçka të bukur, por për të hequr të gjithë këta gurë është edhe më e nevojshme ndihma e gjysmës tjetër. /INA