Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, foli në prag të dy miqësoreve me Moldavinë në muajin Nëntor.
Bushi deklaroi se këto miqësore, janë një mundësi e mirë për stafin, për të parë gjendjen e lojtarëve, ndërsa shtoi se mund të bëhet diçka ndryshe.
Sipas tij, në grumbullim janë shumë lojtarë të rinj dhe do të jetë mundësia që të shihen nga afër.
“Miqësoret i shërbejnë stafit teknik për të parë gjendjen e lojtarëve dhe grupin se si është. Është një grup komplet i ri, pothuajse 80-90% e skuadrës është e re. Nuk i njohim shumë. I kemi ndjekur, skautët tanë kudo i kanë vëzhguar. Kemi informacione goxha të mira dhe mendoj se do na shërbejnë këto dy ndeshje. Moldavia është një ekip që të jep mundësinë për të bërë diçka ndryshe, edhe sa i përket skemave të ekipit. Ne kemi luajtur gjithmonë me 3-4-3, mbase do të luajmë me një skemë ndryshe duke parë dhe gjendjen e lojtarëve se çfarë lojtarësh kemi në grup.
Mendoj që është një grup interesant, ka lojtarë cilësorë. Nuk është nga grupet më të mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, por ka shumë kohë përpara për të bërë një grup sa më kompakt dhe të fortë për edicionin që do të vijë. Mendoj që lojtarët që kemi në dispozicion janë lojtarë të rinj sa i përket eksperiencës së tyre në futbollin ndërkombëtar, të cilët nuk luajnë në nivele të larta por mendoj që në të ardhmen do të luajnë në nivele shumë të mira. Janë futbollistë që luajnë në ekipe me emër. Nuk dua të përmend emra sepse janë disa që janë goxha të mirë dhe mendoj që do të bëjnë mirë”, tha Bushi.
Tekniku kuqezi, deklaroi se është shumë i lumtur që Gugjufi ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë. Në lidhje me brezin që sapo u mbyll, Bushi tha se janë një nga më të mirët nga të gjitha anët.
“Besar Gudjufi? Unë me Besarin dhe prindërit e tij kam kohë që flas. Ai ka zgjedhur Shqipërinë për të luajtur dhe madje për pak kohë do të jetë në hotel. Është lojtar me kriteret që ne i duam. Është lojtar i shpejtë, driblues, i fortë që Shqipëria nuk e ka. Kemi kohë që e kemi ndjekur dhe e falënderoj që ka zgjedhur Shqipërinë. Luan në kampionatin e Maqedonisë së Veriut por unë jam i gëzuar që na ka zgjedhur ne.
Brezi që u mbyll ka qenë një nga më të mirët, nga të gjitha anët. Në karakter, personalitet, cilësi dhe jo më kot disa prej tyre janë sot pjesë e Kombëtares A. Datëlindja 2004-2005 nuk është se është brez i artë, por mendoj që do të bëhen të mirë. Kemi kohë për të bërë një grup shumë të mirë. Ka lojtarë edhe në kampionatin shqiptar dhe jashtë që ne jemi duke i shikuar. Mendoj që do të bëjmë një ekip shumë të fortë. Nga mesfusha e lart jemi mirë, por kemi pak probleme në repartin e mbrojtjes pasi dhe portierët i kemi shumë të mirë”, deklaroi Bushi.
Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshje miqësore me Moldavinë, më 15 dhe 18 Nëntor në stadiumin e Vorës. /tvklan.al