Policia e Tiranës ka sqaruar përmbajtjen e një çamçakëzi që shitet pranë shkollave dhe dyshohet se përgjum fëmijët. Sipas uniformave blu, janë ushtruar kontrolle në një shkollë në Yzberisht dhe është konstatuar një tabletë me ngjyrë jeshile.
Në formën e një pilule, çamçakëzi është dërguar në sektorin e toksikologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik. Nga analizat përkatëse është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lëndë psikotrope.
Në reagimin zyrtar Policia e Tiranës deklaron se çamçakëzi kishte përbërje vitamine E. Por pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë thonë se do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat.
Gjatë verifikimeve të policisë, një pilulë e tillë, i është gjetur njërit prej nxënësve në xhep. Pas verifikimeve nga polica ka rezultuar se fëmija kokrrën e kishte marrë në shtëpi pasi babai i tij vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe përdorte ilaçe. Sipas burimeve të policisë bëhet me dije se asnjëri nga nxënësit nuk ka konsumuar një pilulë të tillë.
Rasti në fjalë u bë publik në rrjetet sociale dhe alarmoi opinionin publik, të cilët kërkuan nga autoritetet zbulimin e përmbajtjes së çamçakëzit.
Klan News