Shkon drejt përkeqësimit situata në Gjirokastër. Çarjet e tokës janë thelluar duke shqetësuar akoma më shumë banorët e lagjes Punëtore. Këta të fundit kaluan natën jashtë nga frika e rrëshqitjeve masive.

Kaluan një natë jo të qetë.

E gjithë vëmendja e tyre ishte tek çarjet e tokës poshtë pallatit ku banojnë.

Një pjesë e banorëve të lagjes Punëtore në Gjirokastër qëndruan jashtë nga frika e ndonjë rrëshqitjeje masive.

Çarjet e tokës sa vijnë e thellohen.

Në takimin që patën me kryetaren e bashkisë banorët i kërkuan ndërhyrje urgjente.

Të shtunën aty mbërritën edhe ekspertë nga Tirana për të inspektuar zonën dhe deri tani sipas tyre pallati nuk rrezikon. Por alarmi mbetet i lartë.

Nëse qyteti përfshihet nga reshjet të gjithë duhet të largohen nga lagjja për të shpëtuar.

Në Gjirokastër janë disa zona problematike si Kodra e Shtufit, Cfake, Manalat, Gerhot dhe lagjja Punëtore, të cilat vite më parë ishin të pyllëzuara e nuk lejohej asnjë ndërhyrje.

Por pas ‘90-ës masakra e ndërtimeve pa kriter e pa asnjë studim të mirëfilltë ka vijuar deri sot duke vënë në rrezik jetën e banorëve./abcnews.al