Puna për rehabilitimin e trotuareve dhe korsive të reja të biçikletave në zonën e ish-Bllokut po ecën me shpejtësi. Për të vlerësuar punën që po kryhet në rrugën “Sami Frashëri”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i surprizoi punëtorët, duke iu sjellë drekën në kohën e pushimit. Ai u shprehu mirënjohjen për qëndrimin në krye të detyrës edhe në këto ditë me temperatura të larta.
“E di që është një periudhë e vështirë sepse jemi në gusht, por këtu ishte e nevojshme ndërhyrja ngaqë është një nga lagjet më të frekuentuara. Edhe kjo punë ngjason me punët e shtëpisë: në fillim bëhet pak rrëmujë, por pastaj shijon gjënë e re. Këtu po bëjmë edhe korsinë e biçikletave, edhe gjithë rrjetin e trotuareve, ndaj jam shpresëplotë që do ecim shpejt”, tha kryebashkiaku.
Ndërkaq, rehabilitimi i trotuareve dhe korsive të biçikletave ka përfunduar në rrugët “Abdyl Frashëri” dhe “Sulejman Delvina”, e me të mbaruar rrugën “Sami Frashëri” do të kalohet në rrugën “Fortuzi”.
“Ju jam shumë mirënjohës! Dua që ta dini se ju vlerësojmë jashtë mase. Njerëzit janë me pushime, por kur të kthehen do të shohin diçka të re në qytet”, tha Veliaj.
Rikualifikimi i trotuareve dhe korsive të biçikletave përfshin punimet nga sheshi “Wilson” deri në kryqëzimin me Bulevardin “Bajram Curri”. Këto punime parashikojnë krijimin e korsive të reja të biçikletave me dy sense, me sinjalistikën përkatëse horizontale dhe vertikale, e kufizuar me birila. Gjithashtu, do të sistemohen ujërat e shiut nga objektet ekzistuese në rrjetin e ri të largimit të ujërave.
Projekti parashikon sistemimin e linjave të internetit dhe pusetat ekzistuese për segmentin e parë, nga sheshi “Wilson” deri te kryqëzimi me rr. “Nikolla Tupe”. Trotuaret do të pajisen edhe me rampa për mundësimin e lëvizjes për Personat me Aftësi të Kufizuar./tvklan.al