Trombonisti profesionist gjerman Uwe Dirkensen, është ftuar në Tiranë për të çelur javën kulturore austriake, me një performancë të improvizuar në hollin e Hotel Dajtit, ku vazhdon të qëndrojë e hapur Bienalja e Tiranës.
Kjo performancë tingujsh në hapësirë është një nga koncertet e festivalit Mozaik, që në edicionin e tij të tretë të organizuar nga ambasada Austriake është fokusuar në instrumentet frymore.
Uwe Dirkensen: “Para se të luaj shkoj gjithnjë në hollin ku mblidhen njerëzit dhe kur publiku vjen unë reagoj. Kështu që unë mundohem ti kushtoj rëndësi publikut. Tromboni është një instrument me tingull të fuqishëm, por mund të jetë dhe i qetë. Kur luan me trombon ai prodhon një tingull që krijon asosacione të ndryshme, është emocionues edhe në këto 30 vitet e fundit njerëzit kanë nisur ta kuptojnë më shumë. Por shkruajnë më shumë pjesë për trombon dhe të mendosh që 50 a 100 vjet më parë ai ishte një instrument diku në orkestër, sot e përjetoj në mënyrë emocionuese.”
Bashkë me solistin Dirkensen interpretoi me klarinetë edhe zvicerani Ernest Hormonulari.
Me një karrierë të pasur jo vetëm nëpër aktivitete me repertor klasik e kontemporan, por i familjarizuar edhe me jazin, dhe mbi të gjitha me improvizimin. Si në këtë moment në hollin pa shumë dritë të hotel Dajtit.
Java kulturore austriake do të ketë si prioritet edhe pikturën e artin skenik, pa lënë mënjanë muzikën e vjetër dhe atë baroke./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani