Nga mbledhja e grupit parlamentar, kryedemokrati Sali Berisha i ka kthyer përgjigje zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila ditën e djeshme tha se qeveria e tij shiti Hotel Dajtin për t’i dhënë pensionistëve bonusin. Ai u shpreh se nëse e ka bërë diçka të tillë ka bërë gjënë më të mirë pasi ia ka dhënë një shtrese ndaj të cilëve shteti është gjithmonë në borxh.

“Mjafton t’u rikujtoj këtu se si Lubi Balluku përsëriste dje, duke kujtuar se më akuzonte, se ka shitur Hotel Dajtin për t’u dhënë bonusin pensionistëve. Po në qoftë se e kam bërë për atë qëllim, kam bërë gjënë më të mirë. Ua them ju këtu, kur shoh që ky u ka dhënë trafikantëve 6 milionë metër katrorë troje turistike me 1 euro, kurrë një mijë herë para qeveria jonë do i nxirrte në treg ato dhe paratë do ua jepte pronarëve dhe pensionistëve dhe kurrë nuk mund të vepronte në këtë mënyrë. Pra, u kishim dhënë paratë e Hotel Dajtit pensionistëve, sikur ua kishim dhënë armiqve të egër të shoqërisë shqiptare, jo njerëzve që në çdo rrafsh, asnjëherë nuk u del borxhit. Nuk u del borxhit sepse janë prindër, janë gjyshër, nuk u del prindër se kanë shkrirë jetën në këtë vend, nuk janë larguar, kanë punuar këtu. Nuk u del borxhit sepse në mënyrë të pamëshirë, krijon një diferencë të tmerrshme midis rrogës maksimale dhe pensionit të themi maksimal. Në Shqipëri, rroga mesatare, është një e dhjeta e rrogës së Dumanit. Është një e shtata e rrogës së Edi Ramës. Në SHBA, rroga mesatare është një e pesta e rrogës së presidentit. Pa diskutim. Në Gjermani e njëjta me rrogën e kancelarit dhe kudo. Por vetëm ata që kanë mundësi që të shumëzojnë me zero qytetarët, i lejojnë vetes gjëra të tilla. Prandaj ne kemi bërë një gjë shumë të mirë. Keni bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë”, tha Berisha.

Berisha shprehu mirënjohjen që Banka e Shqipërisë bleu Hotel Dajtin dhe i ruajti origjinalitetin, duke shtuar se atë nuk do e merrnin oligarkët për të bërë kulla.

“Ato amendamente do votohen vitin e parë të qeverisjes sonë. Dhe ishte gjë shumë serioze, një përgatitje shumë serioze që u bë. Sigurisht që nuk do i pranonin dhe argumenti ishte se u kishim dhënë pensionistëve paratë e shitjes së Hotel Dajtit, po kjo na nderon. Ua kishim dhënë armiqve.  Ia shitëm Bankës, i jam mirënjohës Bankës që e bleu, pavarësisht se ata e arrestuan Fullanin në verbëri, pa asnjë fakt për atë blerje, që ishte e tëra ligjore. Po kullë aty nuk do ndërtohej. Nuk mund ta merrnin oligarkët atë. E mori Banka, e ka rikonstruktuar, i ka ruajtur origjinalitetin e vet dhe ajo është ndërtesë që trashëgohet, që tregon se Tirana edhe në vitet ‘40 të shekullit të kaluar ka pasur ndërtim të tillë, e nderon”, tha Berisha.

Kujtojmë se një ditë më parë, ministrja Balluku u shpreh se kur demokratët kanë qeverisur nuk kanë bërë asgjë në dobi të kësaj kategorisë së pensionistëve./tvklan.al