Pas dy muajsh kërkesa të vazhdueshme për të informuar publikun në lidhje me tenderin për rikonstruksionin e ish –Hotel Dajtit, Banka e Shqipërise ka reaguar më në fund.
Në një njoftim të sajin ajo shpjegon se fondi për tenderin është miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës në 8 dhjetor te vitit 2011, me vlere 16 milionë euro.
Ky fond është shtuar me 2 milionë euro po me vendim të Këshillit Mbikëqyrës në vitin 2013.
Por në periudhën 2015 – 2016, këto vendime të Këshillit Mbikëqyrës janë hedhur poshtë nga guvernatori i Bankës, edhe pse ligji parashikon që të drejtën për te vendosur mbi politikat e administrimit dhe procedurat e përdorimit të mjeteve financiare e ka vetëm Këshilli Mbikëqyrës.
Përveç njoftimit, Banka e Shqipërisë nuk dërgoi asnjë dokument apo vendim te Këshillit Mbikëqyrës që dëshmojnë se si janë miratuar procedurat dhe fondet, pasi vendimi që i referohet ajo është i vetmi që nuk gjendet në faqen zyrtare të internetit.
Po kështu, Banka ka refuzuar te publikoje emrin e kompanisë fituese dhe thotë se do ta bëjë publik atë vetëm pasi të nënshkruhet kontrata.
/Tv Klan