Rishpërndarja e mandateve, për shkak të lëvizjeve demografike
Veç faturës së lartë financiare që do të kërkojë organizimi i zgjedhjeve të vitit 2021, ato do të vendosin një precedent të panjohur më parë në asnjë vend tjetër sa i takon përfshirjes së teknologjisë.
“Në dijeninë time të paktën, nuk ka një rast të dytë të ngjashëm, ku sisteme të tilla të jenë implementuar në një kohë kaq të shkurtër”, shprehet kreu i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve te riorganizuar, Ilirjan Celibashi.
Celibashi thotë se nuk i trembet kësaj sfide, por peshën e kohës e reflekton.
“Për të trembur nuk më tremb, por pa dyshim që kam gjithë shqetësimin e nevojshëm kur do të duhet që të përmbushësh përgjegjësi shumë të rëndësishme”.
Sipas marrëveshjes politike të 5 Qershorit, zëvendës komisionerja e vendosur nga opozita demokrate ka të gjithë përgjegjësinë për procedurën që do të ndiqet për të mundësuar identifikimin biometrik.
Por Celibashi nuk pranon që si në rast të implementimit me sukses, ashtu dhe të dështimit të këtij projekti në zgjedhje, të ngelet jashtë përgjegjësisë.
“E gjithë kjo përgjegjësi është e përbashkët”.
Faturën prej 4.3 miliardë Lekësh, që kërkohet nga buxheti i shtetit për zgjedhjet parlamentare, i rezervon të drejtën vetes të mos e komentojë në këtë moment.
“Do të preferoja që ta komentoja pasi të mbaronte procesi zgjedhor”.
Edhe për mundësimin e votës së emigrantëve thotë se koha nuk është në favor të KQZ-së.
“Jemi duke luftuar me kohën. Janë shumë implikime të karakterit teknik, por edhe të karakterit politik”.
Një debat politik që është nxitur kohët e fundit është dhe ai për rishpërndarjen e mandateve, që në një dokument paraprak të hartuar nga ekspertët e KQZ, i heq 1 mandat qarkut të Dibrës dhe një atij të Gjirokastrës, për t’i shtuar në Tiranë.
“Është një përllogaritje matematikore që bazohet në numrin e shtetasve me të drejtë vote për secilin qark”.
Për opozitën, lëvizjet e vendbanimeve kanë për qëllim të vetëm manipulimin e zgjedhjeve.
Tv Klan