Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka prerë çdo shpresë të partive politike për votim elektronik në 6 qarqe. Sipas tij në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës ky proces mund të shtrihet maksimumi në 3 qarqe.
Ilirjan Celibashi: KQZ nuk e ka kohën në dispozicion. Nuk ka mundësi që ta përgatisë votimin elektronik në 6 qarqe. Ndoshta ka akoma kohë për të diskutuar dhe për të vendosur nëse në 1 ose 2 apo maksimumi 3 qarqe të tjera të shtrihet procesi.
Në fund të sesionit të kaluar mazhoranca dhe opozita adresuan disa prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në kod, por demokratët e cilësojnë të paplotë Reformën Zgjedhore, ndaj kërkojnë rikthimin në tryezën e dialogut për të përmbushur rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Edhe për këtë çështje, Celibashi se fsheh skepticizmin, teksa thotë se koha është në disfavor për një ndërhyrjeje të thellë në kodin zgjedhor.
Ilirjan Celibashi: Ka akoma shumë për të bërë në lidhje me çështjet e administrimit zgjedhor. Për disa prej këtyre çështjeve, mundet akoma të ketë kohë. Po besoj për shumë çështje të tjera, koha tashmë ka kaluar, gjithsesi nëse politika e gjen gjuhën për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, ne jemi të detyruar që t’i përgjigjemi këtyre ndryshimeve.
I pyetur në lidhje me hetimet e nisura nga SPAK-u për dy tendera të KQZ-së, të fitura nga kompania “Smartmatic” për identifikimin dhe votimin elektronik në vlerën e 21 milionë Dollarëve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se procesi ka qenë legjitim dhe nuk ka asnjë shqetësim.
Tv Klan