Kryetari i PD, Sali Berisha thotë se Shqipëria nuk e meriton të ulet në tavolinën për çeljen e negociatave për grup kapitullin e parë.
Edhe pse e përshëndet mbledhjen Këshillit të Bashkimit Europian në Luksemburg, Berisha thotë se qeveria “Rama” nuk plotëson as kushtin e zgjedhjeve të lira në vend.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se Shqipëria nuk plotëson sot përveç kriterit gjeostrategjik, asnjë kriter për tu ulur në tavolinën e negociatave në Bashkimin Europian për kapituj të veçantë. Ky vend nuk plotëson në rradhë të parë kriterin e zgjedhjeve të ndershme. Është vendi i vetëm në Europë në shkallën e persekutimit politik ku në ndonjë aspekt ja kalon edhe Putinit dhe Lukashenkos. Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë.”
Në bashkëbisedimin online me qytetarët, Berisha zbuloi dhe programin elektoral të PD që nga minimumi jetik te rritja e pagave dhe pensioneve.
“Akti i parë do të jetë vendosja e minimumit jetik prej 200 Euro-sh. Do të jetë vendosja e rrogës minimale 500 Euro. Asnjë pension ndën minimumin jetik dhe dyfishim i pensioneve të tjera. Heqja e menjëhershme e TVSH-së për të gjitha ushqimet.”
Teksa kampi i Gjadrit është gati të pres emigrantët e parë, Berisha u zotua se PD nuk do të lejojë ngritjen e kampeve të tillë në Shqipëri.
“Partia Demokratike nuk është një parti ksenofobike. Në qoftë se e keni fjalën për qendra si kjo që qeveria italiane ndërtoi në Gjadër në asnjë rrethanë asnjë qendër tjetër nuk mund të pranohet në Shqipëri pavarësisht se Edi Rama për hir të karriges është i aftë të bëjë çdo lëshim, çdo akt kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë.”
Teksa këmbëngul se opozita do të vijojë mosbindjen civile, Berisha thotë se pjesë e aksionit dhe e opozitës së vërtetë nuk mund të jenë partitë e reja të cilat krijohen duke u mbështetur nga qeveria “Rama”.
Klan News