Lajme Arkiva 2003
Në ceremoninë e 90 vjetorit të policisë kanë qenë pjesëmarrës thuajse të gjithë ministrat e brendshëm që nga koha e diktaturës. Një nga krerët e bluve i cili për një kohë të gjatë ka qenë në qendër të vëmendjes është edhe zoti Perikli Teta.
Ai ka drejtuar Ministrinë e Rendit në kohën kur ndodhi vrasja e deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari. Por çfarë mendon ish-ministri Teta lidhur me zhvillimet më të fundit në polici si dhe faktin se 90-vjetori i krijimit të saj koincidoi me një ngjarje të rëndë, atë të vdekjes së një personi nga dhuna e policisë.
Perikli Teta: Përsa i përket asaj që ju thatë që sot policia e feston 90 vjetorin e saj gjithashtu bashkë me disa ngjarje të shëmtuara, këto do të ndodhin. Nuk është e thënë se këto do të mbyllen përfundimisht sot, por e rëndësishme është të mos shkaktohen nga policia. Përdorimi i dhunës nga disa individë të policisë, nuk është dukuri institucionale, nuk është dukuri shtetërore nuk është dukuri e qeverisjes por vetëm e disa individëve të veçantë që gabimisht dhe fatkeqësisht ndodhen akoma në polici.
Pa lënë mënjan meritat e policisë ish-Ministri i Brendshëm Perikli Teta tërheq vëmendjen se problemi më shqetësues aktualisht është prania e të inkriminuarve në radhët e policisë.
Perikli Teta: Shkëputja nga politika është kërkesa e parë dhe kërkesa e dytë për policinë është kjo që të pastrohet nga të inkriminuarit./tvklan.al