Gjykata e shkallës së parë ka shpallur të pafajshëm biznesmenin britaniko-boshnjak Damir Fazlliç për akuzën e pastrimit të parave si dhe ka urdhëruar prokurorinë për heqjen nga sekuestro të pronave të tij.
Vendimi u shpall në mesditë vetëm pak minuta pas dhënies së konkluzioneve përfundimtare të prokurorëve të çështjes, të cilët kërkuan mbajtjen nën sekuestro të pronave dhe kompanive të Damir Fazlliç me pretendimin se ai ka kryer pastrim parash. Por gjyqtari Artan Broci në argumentimin e tij tha akuzat e ngritura nga prokuroria janë të paargumentuara në prova.
Artan Broci: “Gjykata bazuar te neni 212 .. procedurës penale vendosi pranimin e kërkesës, shfuqizimin tërësisht të vendimit të sekuestrimit dokumenteve të datës 21/10/2008. Shfuqizimin tërësisht të vendimit të sekuestrimit të … të datës 31/10/2008. Shfuqizimin pjesërisht të vendimit të sekuestrimit të llogarive bankare, të depozitave bankare dokumente të datës 09/10/2008, vetëm përsa u takon kërkuesve shoqëria …, shoqëria Alfa të Damri Fazlliç.”
Vendimi i gjykatës është një tjetër goditje për prokurorinë e përgjithshme pas asaj për rrugën Durrës-Kukës. Akuzat e saj për këto dy çështje rrëzohen për të katërtën herë në pak kohë nga gjyqësori.
Organi i akuzës e kërkoi jo më pak bujë ndalimin e biznesmenit kur në tetor nxori një urdhër për ta marrë në pyetje vetëm pak kohë pasi ai u largua përmes aeroportit të Rinasit ndërsa një interviste në televizionin Klan, ku ardhja e tij u ndoq dhe u transmetua direkt nga shumë televizione.
Sekuestrimi i pronave të biznesmenit Fazlliç u konsiderua gjithashtu si një veprim me sfond politik nga avokatët mbrojtës, si një veprim i pabazuar në asnjë provë, por i nxitur vetëm nga shkrime të disa gazetave apo nga deklarata mediatike të përfaqësuesve të disa partive të majta.
Prokuroria do të apelojë këtë vendim të gjykatës, por i pamohueshëm është fakti se në të gjitha çështjet penale të ngritura prej saj nga shkrime gazetash, ajo ka dështuar me trup./tvklan.al