Shtohen akuzat për kreun e ri të krimeve të rënda Olsian Çela. Kryeprokurori i emëruar vetëm pak ditë më parë në këtë detyrë nuk ka nxjerrë në publik vetëm sekretet hetimore të çështjes kundër KKRT-së. Ai mësohet të jetë edhe prokuror në çështjen “Kompas”, ku siç dihet u nxor në publik një material privat i njërit prej të arrestuarve.

Bëhet fjalë për nxjerrjen nga dosja hetimore të një video intime të sekuestruar në emër të shtetit nga celulari i të arrestuarit Arjan Selimi. Nxjerrja e materialeve sekrete të hetimit është vepër penale dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, ndaj në atë kohë pala e dëmtuar kërkoi dënimin e autorëve duke ngritur akuzat mbi grupin hetimor që drejtohej nga prokurori Olsion Çela.

Video shokuese, kopja e vetme e së cilës gjendet vetëm në celularin e sekuestruar e të të arrestuarit Selimi u shpërnda në mijëra celularë në mbarë vendin dhe përfundoi në faqen e parë të gazetave dhe në edicionet informative të televizioneve.

Askush nuk mbajti përgjegjësi për të ndonëse ajo doli nga doja hetimore që administrohej nga prokurori Çela. E njëjta gjë ka ndodhur me këtë prokuror edhe gjatë hetimit të çështjes kundër KKRT-së. Ku dëshmitë e të pyeturve, numrat e llogarisë së televizioneve e të dhëna të tjera. Sekretet e hetimit botoheshin të nesërmen në gazetat e interesuara dhe konkurrentët e çështjes.

Prokurori Olsian Çela jo vetëm që nuk mban përgjegjësi për këto shkelje flagrante që përbëjnë vepër penale, por gradohet në detyrë si shefi i prokurorisë së krimeve të rënda. Katapultohet në krye të prokurorisë më të rëndësishme të vendit, vetëm për faktin e thjeshtë së është ish-shoku i klasës së prokurores së përgjithshme Ina Rama.

Por a ka më garanci që pas këtyre rasteve ai nuk do të nxjerrë edhe sekrete të tjera në publik. Që në detyrën e emëruar rishtas kanë të bëjnë me krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme, terrorizmin dhe vepra të tjera penale të konsideruara si tepër të rënda.

A ka më garanci se ai nuk do t’i shesë informacionet që kushtojnë me miliona euro. Çfarë morali u ofron ky kryeprokuror i krimeve të rënda vartësve të tij, kur të gjithë e dinë se çfarë shpërdorimesh ka bërë shefi i tyre i ri.

Me çfarë kriteresh e emëroi shoqja e klasës këtë udhëheqës të ri të prokurorisë më të rëndësishme në Shqipëri. Mos vallë më atë të nxjerrjes së sekreteve hetimore në publik? Mos ndoshta është kjo merita që propagandon me të madhe kryetari i mazhorancës Sali Berisha? Pas këtij emërimi skandaloz askush nuk mund të heshtë. As prokuroria e përgjithshme, as kryetari i KLD apo zëvendësi i tij, kryeministri apo ministri i Drejtësisë.

Nëse këta udhëheqës të cilët janë përgjegjës për moralin e punonjësit shtetëror nuk mbajnë qëndrim ndaj këtij emërimi do të thotë se ata pajtohen me këtë fenomen. E nëse është kështu këtë kanë të drejtë ta bëjnë të gjithë prokurorët, të gjithë hetuesit, të gjithë policët./tvklan.al